Christian Eriksen është ende lojtar i Tottenhamit, por e ardhmja e yllit danez është larg “Spurs”. Lojtari nuk ka pranuar rinovimin me klubin londinez dhe me kontratën e tij që skadon në fund të sezonit, klubet më të mëdha europiane janë vënë pas tij.
Drejtori i Interit, Ausilio, konfirmoi publikisht se kanë bërë një ofertë për shërbimet e fantazistit, ofertë që shkon deri në 10 milionë euro sipas medieve italiane. Megjithatë, Barcelona ka bërë një ofertë më të lartë për mesfushorin.
Raportimet e sotme konfirmojnë se katalanasit kanë ofruar 17 milionë euro për shërbimet e Eriksen, ofertë që po shqyrtohet nga drejtuesit e Tottenham. Eriksen është një lojtar që vlen shumë herë më shumë se kaq, por problemet me klubin e Tottenham, e kanë ulur ndjeshëm vlerën e lojtarit në merkato.
“Gjelat” e Londrës kanë kohë dhe një javë për të vendosur përfundimisht sa i takon së ardhmes së Eriksen, nëse do të pranojnë ndonjë ofertë në janar, ose nëse do e humbasin pa asnjë qindarkë në verë./abcnews.al