Pagesat e para në sistemin europian të pagesave do të nisin në tetor të këtij viti. Anëtarësimi i Shqipërisë në SEPA do ti ofroj qytetarëve dhe bizneseve mundësinë e kryerjes së transaksioneve me komisione disa herë më të ulëta nga ato që realizojnë aktualisht.
Guvernatori Gent Sejko theksoi se tashmë bankat po përgatitën për tu bërë pjesë e këtij sistemi që do ti sjellë shumë përfitime ekonomisë shqiptare.
Pagesat elektronike kanë njohur një rritje të fortë gjatë vitit të fundit duke arritur në 23 për frymë nga vetëm 2 që ishin një dekadë më parë. Sipas Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë këto janë tregues për uljen e cash-it dhe të informalitetit në ekonomi.
Nga të dhënat rezulton se sistemi AIPS Euro, i cili ka mundësuar shmangien e radhëve të gjata nëpër sportelet e bankave për kryerjen e pagesave në euro dhe uljen e komisioneve të larta të aplikuara nga transferimi. Vetëm nga operimi i këtij sistemi kursimet përllogariten në rreth 100 milionë euro.