Oliver Glasner, trajneri i Wolfsburg, ka folur nga Gjermania në prag të ndeshjes me Kukësin. Gazetarët kanë pasur mundësinë të dërgojnë pyetjet dhe kreu i pankinës së “Ujqve” ka folu hapur, duke nisur me situatën e krijuar në futboll prej pandemisë.
“Ka avantazhe dhe disavantazhe, pasi ekipe të ndryshme kanë pasur periudha të ndryshme pushimesh. Kjo situatë e krijuar prej koronavirusit është e njëjtë për të gjithë. Ne do bëjmë më të mirën në fushë dhe jemi të përgatitur për ndeshjen e parë”, thotë fillimisht Glasner, ndërkohë që më pas analizon rivalin.
“Kukësin e ndoqa në ndeshjen e parë kundër Slavia Soffia dhe pashë një ekip të organizuar, me lojtarë me cilësi teknike. Për mua është tipike për ekipet shqiptare. Siç e thashë edhe më parë, jemi përgatitur dhe e respektojmë Kukësin dhe çdo kundërshtar. Shkojmë në Tiranë me besim te vetja për ta fituar ndeshjen dhe për të kaluar në raundin tjetër.
Nuk jemi përgatitur për shtesë dhe penallti. Nëse do të na duhet të luajmë në shtesë, do e mirëpresim dhe do bëjmë më të mirën pas 90 minutave. Do japim gjithçka ta fitojmë ndeshjen. Kështu që do jemi të përgatitur”, shton tekniku i Wolfsburg, i cili e pranon se e ka pasur të vështirë të marrë informacion për Kukësin.
“Do të jetë pak e vështirë për shkak se java e parë e kampionatit është shtyrë dhe ne i kemi parë vetëm në një ndeshje. Ata kanë ndryshuar trajnerin dhe nuk kemi pasur mundësinë të shohim shumë ndeshje të tyre. Është vetëm një ndeshje që ata kanë luajtur.
Jemi përgatitur dhe kemi planin tonë. Do të luajmë me formacionin më të mirë dhe synojmë të kalojmë në grupet e Europa League, për të luajtur me ekipet më të mira”, përfundon trajneri i gjermanëve, Oliver Glasner. /abcnews.al