Trajneri i njohur quan kualifikimin “punë të mbaruar”, Gjoka: Shqipëria është në Evropian

schedule14:16 - 15 Nëntor, 2023

schedule 14:16 - 15 Nëntor, 2023

Na mbetet edhe një gjysmë hapi për të arritur cakun.

I tillë pozicioni i kombëtares shqiptare në eliminatoret e Evropianit, ndërsa i duhet një pikë për të shkuar në finale, por një njeri që e njeh mirë futbollin e cilëson këtë punë të përfunduar.

Ernest Gjoka, trajneri i njohur shqiptar që doli kampion me Kukësin e Shkëndijën e Tetovës, flet kështu në intervistën për ABC News.

“Unë mendoj që është në Evropian. Kisha besim te ky grup lojtarësh, nuk është e rastësishme. Këto janë lojtarë, që si asnjë herë më parë marrin pjesë rregullisht te skuadrat e tyre. Kemi 7-8 lojtarë, si asnjëherë në historinë e futbollit shqiptar, që luajnë në Serie A. Serie A për shqiptarët ka qenë një ëndërr e madhe, sot është një realitet. Kemi lojtarë që luajnë në Angli, kemi lojtarë që luajnë në La Liga, kemi lojtarë që luajnë në vende të ndryshme dhe është një skuadër që për hir të së vërtetës ka cilësi brenda.”

Nuk është habi që Gjoka veçon sidomos trajnerin Svlvinho.

“Për të mos harruar dhe pjesën e mirë, që është bërë nga Federata dhe ish-trajneri Edi Reja, për seleksionim e këtij grupi, por ardhja e Sylvinhos, unë mendoj se ka ndryshuar çdo gjë nga aspekti psikologjik, sepse futbollit në fund të ditës nuk është vetëm cilësia, por është skuadra, shpirti i skuadrës. Në qoftë se ti do të arrish të ndërtosh një skuadër, sado edhe me më pak cilësi se shtetet e tjera afër nesh, mund të marrësh maksimumin dhe kjo është ajo çfarë ka bërë Sylvinho. Kjo është meritë absolute e Sylvinhos.” /i.m /abcnews.al 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!