Trajneri i Kukësit do të ketë përballë Luftëtarin në Superligë

schedule18:11 - 20 Dhjetor, 2017

schedule 18:11 - 20 Dhjetor, 2017

Mladen Milinkoviç do të jetë përballë të kaluarës së tij, këtë javë të Superligës. Të premten, skuadra e tij Kukësi, do të ndeshet me ish-ekipin e trajnerit serb, Luftëtarin.

Hyri i qetë në sallë, edhe pse emocionet padyshim që duhet të kenë qenë të mëdha.
Ndeshja e radhës nuk është aq e zakonshme për trajnerin e Kukësit, Mladen Milinkoviç, pasi kampionët do të presin në fushën e tyre Luftëtarin.
Ç’mendim ka specialisti serb për Luftëtarin dhe për ndeshjen e së premtes?

“Besoj se do ta mbyllim këtë fazë me fitore. Luftëtari është një ekip shumë i mirë, një kundërshtar i vështirë, por shpresojmë dhe besojmë tek fitorja. Për mua, Luftëtari nuk ka qenë i mirë vetëm në dy ndeshjet e fundit që i ka fituar, por gjithnjë ka qenë i fortë edhe kur ka humbur. Ata shënuan 5 gola ndaj Partizanit, asnjë ekip tjetër në Superligë nuk ka shënuar 5 gola në një ndeshje”.
Tashmë, më shumë rëndësi sesa e shkuara ka e tashmja dhe objektivat e Kukësit.

“Nuk duam hapa fals në fushën tonë pasi diferenca me Skënderbeun është e madhe. U thashë edhe lojtarëve të mi që fushën e Kukësit duhet ta kthejmë në një kështjellë, ku asnjë ekip të mos mundet të marrë pikë ndaj nesh.Nëse do t’i fitojmë të gjitha ndeshjet në fushën tonë, të jeni të bindur se do jemi shumë afër objektivave që kemi vendosur në fillim të sezonit”.

Thuhet se sulmuesi kryesor i ekipit, Alijev, do të largohet dhe tashmë sulmues mbetet vetëm Guri.

“Unë jam trajneri, nuk jam zëdhënësi i klubit. Alijev nuk dha atë që ne prisnim të gjithë e urojmë që të gjejë golat dhe të ketë një karrierë të mirë atje ku do të shkojë. Për mua, Alijev ishte dhe mbetet një lojtar i mirë, por që nuk u ambientua dot me kampionatin shqiptar. Ne kemi besim tek Guri dhe ju e shikoni këtë gjë sepse ai po aktivizohet në formacion në çdo ndeshje. Mendoj se Guri ka ende mundësi të japë edhe më shumë, për të ndihmuar ekipin dhe për të ndihmuar veten e tij”./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!