Trajneri i Kosovës Shaland i kënaqur nga loja, por jo nga rezultati

schedule15:50 - 26 Mars, 2019

schedule 15:50 - 26 Mars, 2019

Kosova kënaqi me lojën, por jo me rezultatin. Trajneri i saj Bernar Shaland, tregoi se çfarë gabimesh u bënë në barazimin ndaj Bullgarisë, ndeshje e vlefshme për Europianin.

Së pari ishte një festë. Fitonte apo humbiste Kosova ndaj Bullgarisë, ishte në plan të dytë për tifozët e saj, që kremtonin në Prishtinë një tjetër debutim, atë në Kampionatin Europian të futbollit.

Pas provës së parë në Botëror, dhe suksesit të shkëlqyer në Ligën e Kombeve, ku ekziston shpresa për të shkuar direkt në Europian, seleksioni më i ri i kontinentit do të luante ndeshjen e parë eleminatore në Euro 2020.

Në përfundim, një barazim 1-1, që la përshtypjen se u humbën dy pikë, për atë që u dha në fushë.

Trajneri Shaland thotë pikërisht kështu.

Shaland: “Së pari, jam i zhgënjyer për rezultatin. Së dyti, jam i kënaqur me lojën e skuadrës, sidomos në pjesën e dytë, pasi u përpoq shumë, krijoi raste dhe zhvilloi futboll shumë të mirë përballë një skuadre që di të mbrohet shumë mirë. Nuk ishte e lehtë. Ne mund të kishim shënuar më shumë gola, por nuk patëm saktësi përpara portës”.

Shaland tregoi se çfarë nuk shkoi në pjesën e parë.

Shaland: “Nuk ishte ndeshja jonë perfekte. Nuk ishte problemi tek një lojtar apo një tjetër, ishte problem skuadre. Në pjesën e parë, ne humbëm shumë topa dhe kjo nuk vlen vetëm për mesfushën. Për shembull, Zeneli në pjesën e parë nuk ishte ai lojtari i shkëlqyer që ne njohim. Në pjesën e dytë, ishim më mirë”.

Kosova ka një pikë, po aq sa Bullgaria, në grupin e saj eleminator, por paraqitja ndaj rivalëve ballkanas jep shpresë për të ardhmen. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!