Trajneri i kombëtares vlerëson paraqitjen e “Kuqezinjve”, Sylvinho: Evropiani, një sukses

schedule12:16 - 25 Qershor, 2024

schedule 12:16 - 25 Qershor, 2024

Largimi është largim. Mund të quhet i parakohshëm, apo në kohën e menduar, por gjithsesi fakti është se Shqipëria i tha lamtumirë Evropianit, dhe trajneri Sylvinho duhej të thoshte fjalën e fundit.

Pas humbjes minimale me Spanjën, që erdhi pas humbjes po minimale me Italinë dhe barazimit me Kroacinë, si ndihet braziliani?

“Po, jam krenar. Jam krenar për lojtarët e mi, për vendin tim. Është hera e dytë që luajmë në këtë kompeticion. Jam i lumtur për vendin dhe federatën, për gjithë tifozët. Unë kam jetuar në Tiranë, jam trajneri i parë që kam jetuar në Tiranë për 1 vit e gjysmë. Kam zbuluar lojtarë shumë të mirë. Njerëzit ndoshta mendonin se Italia mund të na kishte shënuar 3 gola, Kroacia 3 apo 4 gola dhe Spanja pesë gola. Ne, gjithsesi, kemi besuar tek vetja jonë, dhe tek mundësitë tona. Jo vetëm që punuam mirë taktikisht, por edhe patëm besim. E dimë se do të na duheshin shumë sakrifica, për të provuar pastaj kundërsulmet, dhe natyrisht ia dolëm të konkurrojmë ndaj tre skuadrave të mëdha, ekipeve që zakonisht shkojnë në çerekfinale, gjysmëfinale apo finale të turneve të mëdhenj”.

Sylvinho theksoi vështirësinë e grupit dhe një faktor që ndikoi fort.

“Shorti ishte i vështirë, grupi ynë ishte shumë i vështirë. Ne nuk ishim mësuar në këto nivele. Kemi shumë lojtarë të rinj dhe premtues, që do të jenë në kombëtare për 10 vitet e ardhshme. Kemi kaluar shumë netë pa gjumë, por kam ëndërruar dhe kam punuar shumë sesi të shënojmë gola, si të përballojmë Kroacinë, Italinë dhe Spanjën. E gjitha kjo ia ka vlejtur. Nuk kemi asnjë keqardhje. Ne duhet të mësohemi që të jemi vazhdimisht në kompeticione të tilla, është diçka me të cilën duhet të mësohemi. Është e mrekullueshme që ishim këtu, por duhet të vazhdojmë të përmirësohemi. Tani dua që të pushoj pak, sepse kemi punuar për 4-5 muaj pa ndalesë”.

Mos vallë, trajneri do të kishte dashur të kishte qenë në një grup më të lehtë?

“Si trajner, dua të them se dua që gjithçka të ishte kështu siç ishte, jo ndryshe. E doja eksperiencën e përballimit me rivalë të tillë, ndonëse në ndonjë grup tjetër mund të kishte qenë më e lehtë. Natyrisht, presioni ishte i madh ndaj Italisë, Kroacisë e Spanjës. Ne e përballuam këtë presion. Lojtarët e mi dhanë gjithçka në fushë dhe do ta mbajnë mend këtë gjë gjatë gjithë jetës. Kur të dalin në fushë herën tjetër, do ta kenë këtë përvojë që do të jetë shumë e vlefshme për ta. Kjo është shumë e rëndësishme. Askush nuk na ka turpëruar. Unë nuk do të kisha ndryshuar asgjë”.

Po flitet shumë se lojtarë si Broja apo Hoxha duhej të kishin luajtur më shumë.

“Nuk mendoj se kemi bërë zëvendësime të gabuara. Kemi bërë atë që duhej. Ishte e vështirë ndaj Spanjës. E ndërtuam lojën me kundërsulme, dhe skuadra luajti me vetëbesim të rritur. Ishim të bashkuar, faktori që na solli në këtë Europian. Dua të falenderoj të gjithë tifozët që na kanë përkrahur në çdo moment”. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!