Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Laç. Një zjarr masiv ka rënë dhe nga flakët është përfshirë një banesë.
Si pasojë e flakëve dhe tymit është asfiksuar një fëmijë 2 vjeç i cili ka ndërruar jetë.
Korespodenti i ABC News ka informuar se fatkeqësisht, fëmija i familjes Çoku, ka qenë i vetëm në një dhomë të banesës, kur flakët kanë përfshirë banesën.
Mendohet se zjarri është ndihmuar edhe më tepër, nga një sasi drush që ka qenë brenda banesës.
Prindërit e 2 vjeçarit kanë konstatuar flakët, kur ishte tepër vonë për të ndërhyrë. Po ashtu edhe zjarrfikësit e kanë patur të pamundur të shpëtojnë fëmijën.
Ndërkohë policia ka nisur hetimet për dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje të rëndë.
Njoftimi i policisë:
“Kurbin/Informacion paraprak
Sot, rreth orës 15:00, në banesën e shtetasit H.C., banues në Sanxhak, Kurbin, ka rënë zjarr, ku pas mbërritjes së shërbimeve të Policisë dhe zjarrfikëses, në ambjentet e brendshme të banesës është konstatuar trupi i pajetë i një të mituri, 2-vjeçar.
Nga veprimet e para hetimore rezulton se fëmija ka ndërruar jetë si pasojë e asfiksisë dhe djegies.
Në vendngjarje grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të ngjarjes”./abcnews.al