Tragjedia në Xhenova, policia rrugore nis inspektimin e urave në Shqipëri

schedule16:09 - 17 Gusht, 2018

schedule 16:09 - 17 Gusht, 2018

Duke marrë shkas nga tragjedia e Xhenovas, Policia Rrugore ka nisur verifikimin e të gjitha urave në vend, nëse janë të pajisura me tabela që tregojnë peshën e lejuar. Kreu i Policisë Rrugore, Mitat Tola, paralajmëroi monitorim të rreptë të zbatimit të këtyre tabelave për të shmangur dëmtimet e urave.

Tragjedia e ndodhur në Genova, Itali, pas shembjes së urës “Morandi” ka vënë në lëvizje autoritetet e Policisë Rrugore në Shqipëri. Kjo strukturë po verifikon të gjitha urat e vendit për pajisjen ose jo të tyre me tabelat sinjalizuese që tregojnë peshën e lejuar.

“Javën në mbyllje dhe javët në vijim, shërbimi i Policisë Rrugore në bashkëpunim me “Autoritetin Rrugor Shqiptar”, ka filluar inspektimin e sistemeve të sinjalizimit vertikal dhe horizontal mbi tregimin e peshës së lejuar të mjeteve mbi ura si dhe në përbërje të grupeve teknike të inspektimit edhe për të verifikuar gjendjen e këtyre strukturave dhe të elementeve të sigurisë”.

Tola foli për monitorim të rreptë kundër ngarkesave që tejkalojnë peshën e lejuar në urë.

“Shërbimi i Policisë Rrugore do të monitorojë në mënyrë të rreptë tejkalimet e peshave të ngarkesave të mjeteve, për të shmangur dëmtimet dhe respektimin e ligjit duke ‘prodhurar’ me shumë siguri rrugore”.

Duke evidentuar disa raste të bllokimit dhe ngadalësime të trafikut në disa akse të vendit për shkak të fluksit të shtuar nga pushuesit kreu i Rrugores nënvizoi angazhimin maksimal të Policisë Rrugore në datat 19-24 gusht për “Pelegrinazhin në Malin e Tomorit”.

 “Nisur nga kushtet e segmenteve rrugore që të çojnë në atë destinacion malor, veçanërisht segmentet rrugore që lidhin aksin rrugor Berat – Skrapar me vendin e kultit – malin Tomor, Drejtoria e Policisë Rrugore në mbështetje të Drejtorisë Vendore të Policisë Berat, kërkon vëmëndjen e drejtuesve të mjeteve për një drejtim më të kujdesshëm të mjetit, mospërdorimin e pijeve alkoolike, duke treguar kujdes maksimal, për shkak edhe të kushteve të rrugës”. /abcnews.al