Tragjedia në Vlorë, PD: Të hetohet pse varkat vogla nuk ankorohen në Porto Palermo

schedule15:02 - 5 Gusht, 2020

schedule 15:02 - 5 Gusht, 2020

Dega e Partisë Demokratike në Vlorë kërkon hetim të rrethanave që solli tragjedinë ditën e sotme në brigjet e Himarës ku humbi jetën një grua.

PD ngre akuza për përshtatjen e Porto Palermos si mjedis për jahtet luksoze, duke ndaluar ankorimin e barkave të vogla të peshkimit në rast rreziku.

“Sot, përcollëm me dëshpërim e dhimbje tragjedinë e një familjeje tjetër shqiptare, në Himarë.

Një grua, nënë e bashkëshorte, humbi jetën në det gjatë stuhisë së mëngjesit të sotëm, pas mbytjes së barkës së vogël të familjes, në betejën e përditshme për të fituar bukën e familjes.

Partia Demokratike Vlorë shpreh ngushëllimet për familjarët e së ndjerës!

Vlerësojmë përpjekjen e policisë kufitare e të rojës bregdetare për shpëtimin e jetëve të tjera.

Njëkohësisht, dënojmë ekskluzivitetin e pakuptueshëm mbi Porto-Palermon, si mjedis portual ku mund të ankorojnë jahtet luksoze, por të ndaluar rreptësisht për barkat e vogla të peshkimit, edhe në rast rreziku!

Kërkojmë hetimin e thelluar të rrethanave për sa ndodhi, veçanërisht mbi ndikimin e mundshëm të zonave të mbyllura portuale si Porto-Palermo, në rastet e fatkeqësive të tilla të rënda.

Ngjarja do të ketë vëmendjen tonë në vijimësi”, deklaron PD Vlorë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!