Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI), Ali Ahmeti u shpreh se tragjedia që ndodhi në spitalin moduar të Tetovës është dhimbje e madhe për të gjithë qytetarët e vendit dhe në veçanti për familjarët e viktimave.
“Është dhimbje e madhe për të gjithë qytetarët e Republikës së Maqedonisë së Veriut. Është dhimbje e madhe për familjet që kanë humbur të afërmit e tyre dhe e tërë përpjekja bëhet të zbardhet e vërteta.
Në ndihmë për të vërtetën na kanë ardhur edhe nga vendet e Evropës Perëndimore, si nga Gjermania, NATO dhe SHBA. Opinioni pret që të dijë të vërtetën dhe familjet dhe familjet të dinë të vërtetën”, tha Ahmeti për gazetën “Lajm”.
Opozita akuzon se institucionet tentojnë të shmangin përgjegjësinë, por çfarë mendon Ahmeti?
“Nuk mendoj që kjo situatë duhet të përdoret për qëllime të politikave ditore sepse nuk i ndihmon dhe nuk i shëron dot plagët që janë shkaktuar. Të gjithë duhet të jemi racional. Askush nuk i është gëzuar kësaj tragjedie dhe ne do të përpiqemi që të zbardhim të vërtetën”, tha Ali Ahmeti./ Abcnews.al