Tragjedia në Siberi, familjarët e viktimave protestë kundër zyrtarëve

schedule20:50 - 27 Mars, 2018

schedule 20:50 - 27 Mars, 2018

Familjarët e viktimave të tragjedisë në Siberi, ku humbën jetën mbi 60 persona, kanë protestuar kundër autoriteteve vendase, duke i akuzuar për fshehje të bilancit të viktimave. Gjatë manifestimit, qytetarët kanë kërkuar edhe dorëheqjen e presidentit Putin.

Disa mijëra persona kanë protestuar këtë të martë në qytetin Kemerovo, në Siberi, duke akuzuar autoritetet për zjarrin në qendrën tregtare që u mori jetën 64 personave, 41 prej të cilëve fëmijë. Njerëzit u mblodhën jashtë selisë së pushtetit vendor, duke kërkuar largimin e zyrtarëve nga detyra. Disa prej tyre madje kërkuan edhe dorëheqjen e Presidentit Putin.

Manifestuesit thanë se nuk kanë besim tek autoritetet dhe dyshojnë se bilanci i viktimave të dhënë prej tyre nuk është i saktë. Familjarët e viktimave pretendojnë se personat që konsiderohen të zhdukur janë 67, ndryshe nga autoritetet, që flasin për 38. Qytetarët klithën ndaj efektivëve të policisë kur u afruan për të shpërndarë turmën, pasi protesta zgjati rreth 7 orë.

Zëvendësguvernatori rajonal, Sergei Tsivilev, u ul në gjunjë për të kërkuar falje dhe u duartrokit nga turma. Nga hetimet e deritanishme mbi ngjarjen ka rezultuar se alarmi i zjarrit në qendrën tregtare ishte fikur dhe daljet nga struktura të bllokuara. Për këtë arsye katër persona ndodhen nën akuzë, ndërkohë që një roje private pritet të paditet në ditët e ardhshme. Këtë të martë, vetë presidenti Putin mbërriti në Kemerovo dhe deklaroi se tragjedia e së dielës ishte pasojë e një “neglizhence kriminale”./abcnews.al