Tragjedia në Shkodër, ministrja Koçiu: Dhuna dhe depresioni, sfida që shoqëria mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit

schedule21:32 - 5 Maj, 2024

schedule 21:32 - 5 Maj, 2024

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Albana Koçiu ka reaguar për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Shkodër, ku një nënë me 3 fëmijët e saj u mbytën në ujërat e lumit Buna.

Koçiu është shprehur se dhuna, si fizike ashtu edhe psikologjike që është ushtruar ndaj nënës 39-vjeçare nga bashkëshortii saj, është një fenomen i papranueshëm.

Sipas ministres, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Koçiu shtoi se dhuna dhe depresioni janë sfida që shoqëria mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit.

“Thellësisht e tronditur dhe e trishtuar nga ngjarja e rëndë e ndodhur sot në Shkodër, ku sipas dyshimeve paraprake, dhuna e përsëritur fizike dhe psikologjike ka shtyrë një nënë në një akt makabër vetflijimi. Dhuna, në të gjitha format e saj është një fenomen i papranueshëm. Është një akt burracakësh! Është një mënyrë që cënon bërthamën e familjes dhe ata që kanë më pak forcë të mbrohen, nënat dhe fëmijët! Në të njëjtën kohë, kjo tragjedi rikthen në qendër të vëmendjes debatin rreth rëndësisë së shëndetit mendor. Depresioni, në të gjitha format në të cilat manifestohet dhe pavarësisht arsyeve që e shkaktojnë atë, është një barrë e rëndë për çdo individ të prekur dhe për vetë shoqërinë tonë.

Këto janë sfida që shoqëria jonë mund t’i fitojë vetëm përmes solidaritetit. Vetëm duke i qëndruar pranë, të gjithë së bashku, viktimave të dhunës apo të gjithë atyre që kalojnë një moment të vështirë në jetë! Sot, është dita në të cilën të gjithë së bashku, institucionet, media, universiteti, shkolla, familja, shoqëria, e të gjithë me radhë duhet të ndalemi dhe të pyesim veten se çfarë mund të bëjmë më shumë për të rritur numrin e denoncimeve apo mbështetjen për të gjithë ata që kanë nevojë, në mënyrë që ngjarje të tilla të mos përsëriten kurrë më. Dua të përcjell ngushëllimet më të sinqerta të gjithë të dashurve të prekur nga kjo tragjedi. Gjithashtu dua të lëshoj një apel drejtuar pikë së pari institucioneve përkatëse, për hetimin deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe së dyti, ndaj të gjithë qytetarëve, le të bëhemi bashkë, për të shfarosur dhunën e për të mbështetur këdo që ka nevojë përmes forcës së jashtëzakonshme të solidaritetit njerëzor”, theksoi Koçiu./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!