Maqedonia e Veriut ka përcjellë këtë të enjte për në banesën e fundit, trupat e të vdekurve nga zjarri që përfshiu diskotekën “Pulse” në Koçan.
Ngjarja e rëndë ndodhi në orët e para të mëngjesit të 16 marsit. Fotografitë e shumë të rinjve me shirit të zi, qëndrojnë në qendër të Koçanit mes lulesh dhe qirinjve në nderim të tyre. Pranë tyre është vendosur edhe libri i zisë, ku qytetarë të shumtë shkruajnë ngushëllimet e tyre për familjaret e viktimave që kanë humbur jetën.
Trupat e të vdekurve do të varrosen në zona të ndryshme të vendit, përfshirë Koçanin, Shtipin, Shkupin, Strumicën dhe fshatin Obleshevë.
Të paktën 60 njerëz vdiqën dhe qindra të tjerë u plagosën në tragjedinë e Koçanit. Qeveria maqedonase shpalli shtatë ditë zie në nderim të tyre.
/abcnews.al/