Tragjeditë më të mëdha ajrore në 25 vitet e fundit duket se kanë ndodhur në Kinë. I tillë është dhe aksidenti i fundit ajror që ndodhi sot në jugperëndim të Kinës.
Avioni “Boeing 737” me 132 persona u rrëzua një orë pasi kishte nisur fluturimin, në të ndodheshin 123 pasagjerë dhe 9 persona pjesë e stafit të ekuipazhit.
Sipas vlerësimeve të para thuhet se pilotët e avionit kanë humbur kontrollin, duke rënë pingul në tokë me një shpejtësi prej 350 milje në orë, në vetëm 2 minuta.
Fluturimi i linjës ajrore China Eastern Airlines, i cili përfundoi tragjikisht në një kodër pranë qytetit Wuzhou, në provincën jugore të Guangxi, Kinë, shkaktoi një zjarr të madh në pyll të dukshëm edhe nga imazhet satelitore të NASA-s nga hapësira.
Një zyrtar i shpëtimit citohet të ketë thënë se avioni ishte shpërbërë plotësisht, ndërsa zjarri që shpërtheu dogji pyllin me bambu dhe pemë.
Nuk është ende e qartë se çfarë e shkaktoi rrëzimin e papritur, por ekspertët e aviacionit thanë për Daily Mail se mund të ishte një incident për shkak të humbjes së kontrollit, ndoshta pas imobilizimit të avionit në lartësi të madhe ose për shkak të mosfunksionimit të sensorëve në kabinë.
Avioni me numër fluturimi MU5735 nga Kunming në Guangzhou, besohet të jetë një Boeing 737-89P , i cili nuk i përket serisë MAX që ka pasur probleme vitet e fundit.
Boeing 737 falling from the sky in China pic.twitter.com/nzN17bgtO5
— Sentletse ???? (@Sentletse) March 21, 2022
Arthur Rowe, bashkëpunëtor në Qendrën për Performancën dhe Funksionalitetin e Turbinave në Universitetin Cranfield, i tha Daily Mail:“Ndoshta duket si një humbje e kontrollit, ndoshta pasi avioni është imobilizuar në lartësi të madhe. Si zakonisht ka shumë shkaqe të mundshme. Sipërfaqet e bllokuara të kontrollit që nuk përgjigjen, veçanërisht në bisht, janë një prej tyre. Një kombinim i papërshtatshëm i cilësimeve të autopilotit është një tjetër skenar. Ekziston mundësia e sabotimit, megjithëse kjo nuk ka gjasa në një fluturim të brendshëm drejt Kinës, duke pasur parasysh kufizimet nga Covid.”
Nga ana e tjetër Tao Yang , një profesor i asociuar i inxhinierisë në Universitetin e Nottingham, tha:“Aeroplani ishte krejtësisht jashtë kontrollit dhe në këtë fazë është shumë e vështirë të thuhet se çfarë ka ndodhur. Megjithatë, shumica e përplasjeve në avionë lidhen me dështimin e sensorit”./abcnews.al/