MAQEDONI E VERIUT- Qeveria e Maqedonisë së Veriut pas mbledhjes së zhvilluar orën 16:00, ka marrë vendim të shpallë 7 ditë zie kombëtare për shkak të tragjedisë në Koçan.
Nga ngjarja e rëndë humbën jetën 59 persona dhe 155 të tjerë mbetën të lënduar.
Po ashtu, është marrë një vendim për një inspektim të menjëhershëm dhe të jashtëzakonshëm në të gjitha klubet e natës, diskotekat dhe restorantet që organizojnë festa.
“Në këto momente jashtëzakonisht të vështira dhe trishtuese për mbarë popullin maqedonas, kërkojmë që rasti të mos politizohet, në mënyrë që institucionet të ndriçojnë rastin në kohë dhe në mënyrën e duhur. Asnjë informacion nuk do të fshihet nga syri i publikut”, thonë nga qeveria, shkruajnë mediat në Maqedoninë e Veriut.
Njoftimi i plotë:
“ Shpallëm 7 ditë zie shtetërore në nderim të viktimave.
– Ngarkuam Inspektoratin Shtetëror të Tregut që, brenda tre ditëve të ardhshme, të kryejë mbikëqyrje të jashtëzakonshme në kabaretë, klubet e natës dhe diskotekat në gjithë vendin, duke raportuar menjëherë tek Qeveria mbi gjetjet.
– Aktivizuam mekanizmin e asistencës ndërkombëtare për mbështetje në këtë situatë të rëndë për vendin.”, thuhet në njoftim.
/abcnews.al