Maqedonia e Veriut ka nisur kontrollet ne terren pas tragjedisë në klubin e natës në Koçan, që la pas 60 viktima dhe qindra të plagosur.
Nga kontrollet e deritanishme janë inspektuar 50 subjekte në të gjithë vendin. Sipas autoriteteve, vetëm 22 diskoteka dhe kabare kishin licencë të vlefshme, 15 kishin licencë të skaduar, ndërsa për disa objekte nuk ka fare të dhëna,.
Të 22 objektet me licencë të vlefshme vijon inspektimi për të parë nëse i plotësojnë kushtet minimale teknike për funksionim.
Ata që nuk kanë licenca ose të cilëve u ka skaduar vlefshmëria u ndalohet të bëjnë biznes derisa të kontrollohen të gjitha dokumentet e nevojshme dhe nëse mund të vazhdojnë punën dhe të sigurojnë një licencë shtesë.
Ndërkohë në Shkup mijëra qytetarë u mblodhën për të protestuar në lidhje me tragjedinë.
Ata mbajtën 16 minuta heshtje, duke kujtuar 16 marsin, datën kur ndodhi tragjedia.
Protestuesit shprehën solidaritet me familjarët e viktimave dhe të lënduarve dhe bënë thirrje për drejtësi.
Autopsia e viktimave tashmë ka përfunduar dhe ata do të përcillen për në banesën e fundit të enjten e 20 marsit.
Ndërkohë të plagosurit vijojnë trajtimin, disa prej tyre në spitalet e Maqedonisë së Veriut dhe të tjerë jashtë vendit./abcnews.al

