Tragjedia me mbi 600 viktima në brigjet greke, dalin sot para gjykatës 9 të akuzuarit

schedule10:51 - 21 Maj, 2024

schedule 10:51 - 21 Maj, 2024

Sot në Greqi do të fillojë gjyqi për anijen e fundosur në 14 qershor të vitit të kaluar në ujërat ndërkombëtare në brigjet jugperëndimore të Greqisë pranë Pilios, ku 600 emigrantë humbën jetën.

Sipas BBC, gjyqi fillon me akuzën ndaj 9 shtetasve egjiptianë të moshës nga 20 deri në 41 vjeç të akuzuar për fundosjen e anijes. Zona jashtë ndërtesës së gjykatës është rrethuar nga forcat policore teksa janë planifikuar protesta nga grupet aktiviste për të drejtat e njeriut.

Gjykimi i të akuzuarve si trafikantë të qenieve njerëzore mbulohet nga mediat ndërkombëtare, gazetarët e të cilëve tashmë kanë mbërritur në gjykatë.

Nëntë egjiptianët e akuzuar kërkuan falje qershorin e kaluar, duke mohuar akuzat me pretendimin se ata organizuan këtë udhëtim të qindra personave nga Egjipti, drejt Libisë me destinacion Italinë, që më pas u kthye në tragjedinë më të madhe detare në Greqi në gjithë këto vite.

Avokatët e tyre do të argumentojnë se Greqia nuk ka juridiksion në këtë çështje dhe kanë këmbëngulur që klientët e tyre ishin të mbijetuar të pafajshëm që janë ndjekur penalisht padrejtësisht.

Ende edhe sot pas një viti nuk është përcaktuar saktësisht numri i saktë i njerëzve në bord me vlerësimet që nisin nga 500 deri në 700 vetë. Vetëm 104 njerëz mbijetuan, të gjithë burra dhe djem nga Siria, Egjipti, Pakistani dhe dy palestinezë,ndërsa u gjetën vetëm 80 trupa pa jetë.

Anija «Adriana» lundronte në ujërat ndërkombëtare, por siç pretendojnë aktivistët e të drejtave të njeriut, ishte brenda zonës së përgjegjësisë së kërkim-shpëtimit të Greqisë.

Gjithashtu ata kanë akuzuar autoritetet greke për shkaktimin e mbytjes së anijes, ndërsa theksojnë se roja bregdetare kishte tentuar të tërhiqte anijen jashtë kësaj zone.

Nga ana e tyre autoritetet greke kanë hedhur poshtë akuzat dhe kanë këmbëngulur se anëtarët e ekuipazhit të anijes në fjalë kishin refuzuar të pranonin ndihmë nga anijet tregtare aty pranë si dhe nga roja bregdetare greke.

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!