Dy vëllezër nga Kosova humbën jetën ditën e djeshme në Gjermani pasi u përplasën nga treni. Mediat gjermane kanë njoftuar se dy vëllezërit 13 dhe 17 vjeç po tentonin të kapnin trenin i cili ishte në stacion dhe vrapuan drejt shinave dhe në atë moment u goditën nga treni që po vinte drejt Mynihut. Lidhur me ngjarjen e ndodhur në Bavari ka reaguar edhe Policia e Gjermanisë.
“Ngjarja ka ndodhur në orën 7:30 të mëngjesit. Fëmijët kanë kaluar shiritin i cili ishte i vendosur në mënyrë që të kapin një tren, por një tjetër i cili ishte në anën e kundërt, ka ardhur dhe i ka shkelur. Me rastin tani po merret Policia”, tha oficeri i Policisë që është në vendin e ngjarjes.
Drejtuesi i trenit tentoi të bënte një frenim emergjence, por ishte tepër vonë, tha zëdhënësi i policisë. Dëshmitarë të shumtë okularë, përfshirë disa studentë të shkollës së mesme, panë aksidentin fatal. Për aksidentin tragjik në Gjermani ku humbën jetën dy vëllezër me prejardhje nga Deçani, ka reaguar edhe Ambasada e Kosovës në Gjermani. Në njoftim thuhet se po bëhet çdo gjë për t’i qëndruar pranë familjarëve të dy djemve nga Deçani.
“Ambasada e Republikës së Kosovës i shpreh ngushëllimet familjes Arifaj. Bashkë me Konsullatën e Përgjithshme të Kosovës në Bavari, Ambasada është duke bërë çdo gjë që familjes Arifaj t’i qëndrojmë pranë në këto çaste të vështira”, shkruan ambasada.
Kryediplomatja e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla, ka shprehur ngushëllime pas vdekjes së dy vëllezërve nga Deçani në rrethana tragjike në Gjermani. “Me rastin e vdekjes tragjike të personave B.A dhe H.A (13 dhe 17 vjeçar) në Gjermani, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Republikës së Kosovës shpreh ngushëllimet më të sinqerta për prindërit e familjarët, si dhe qytetarët e Deçanit dhe Kosovës.
Ambasada e Kosovës në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Bavari janë në kontakt me autoritetet gjermane për t’u sqaruar kjo tragjedi e rëndë. Jeta jashtë vendlindjes në këto rrethana din të jetë shumë e rëndë, dhe jemi duke bërë çdo gjë që familjes t’u gjendemi pranë në këto çaste të vështira”, ka shkruar Haradinaj./mv. abcnews.al