Një tragjedi e vërtetë ka goditur ish-trajnerin e Spanjës dhe të Barcelonës, Luis Enriken. Ai ka humbur vajzën e tij 9-vjeçare pas një sëmundjeje të rëndë.
“Ajo do të jetë ylli që do të udhëheqë familjen tonë nga qielli”.
Këto fjalë prekëse shpërndau Luis Enrique, legjenda spanjolle e futbollit, duke lajmëruar shuarjen e vajzës së tij 9-vjeçare, Hana (Xana).
Ish-trajneri i Barcelonës dhe i Spanjës mori goditjen më të rëndë që mund të marrë një njeri, një prind, tragjedinë që nuk i urohet as armikut, ndërsa dhimbja për të, dhe gruan e tij Elenën, nuk mund të ngushëllohet kurrë sa të kenë jetë.
Për fat, çifti ka dy fëmijë të tjerë, djalin 19-vjeçar Panço dhe vajzën 18-vjeçare Sira.
Vajza e vogël kishte 5 muaj e diagnostikuar me një lloj kanceri të kockave, të njohur si osteosarkoma (osteosarcoma), dhe pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, nuk mundi të mbijetonte.
Kishte qenë kjo arsyeja, tepër madhore, që Luis Enrique u largua nga kombëtarja e Spanjës.
Natyrisht, ai do të kthehet shpejt në detyra të tjera, pasi puna është bari më i mirë shërues për çdo dhimbje.
Reagimet ishin të shumta.
“Ngushëllimet e mia për Luis Enriquen dhe gjithë familjen e tij në këto momente kaq të rënda, – shkruajti Lionel Mesi, – jemi me ju mister, ju uroj gjithë forcën e kësaj bote”.
Në krah të tij edhe klubi i Barcelonës, me fjalët e presidentit Bartomeu.
“Gjithë mbështetja dhe ndjenjat tona janë për Luis Enriquen, gruan e tij dhe familjen e tyre, në këtë kohë kaq të dhimbshme, – shkruajti ai, – gjithë familja e Barçës është tronditur thellë nga humbja e Hanës”.
Në këto momente kuptohet më mirë ajo që është thënë për futbollin që në fillimet e tij, “është gjëja më e rëndësishme, ndër të parëndësishmet”./ABC News Albania 24/7