Tridhjetë e tre persona kanë vdekur dhe 18 të tjerë janë zhdukur pas reshjeve më të mëdha të regjistruara ndonjëherë në Pekin, sipas autoriteteve. Dhjetra njerëz vdiqën gjithashtu nga përmbytjet që goditën Kinën veriore. Të premten, Pekini njoftoi se gjatë korrikut 147 njerëz vdiqën ose u zhdukën për shkak të fatkeqësive natyrore.
Kryeqyteti kinez është goditur nga reshje rekord në javët e fundit. Autoritetet njoftuan sot se 33 persona kanë vdekur nga moti i keq në Pekin, kryesisht për shkak të përmbytjeve dhe shembjes së ndërtesave.
Numri i të vdekurve është pothuajse trefishuar që nga e marta e kaluar.
“Dëshiroj të shpreh ngushëllimet e mia më të thella për ata që humbën jetën në krye të detyrës dhe për viktimat fatkeqe,” tha Xia Linmao, nënkryetar i bashkisë së Pekinit, gjatë një konference për shtyp.
Në provincën fqinje Hebei, 15 persona kanë vdekur dhe 22 janë të zhdukur. Në Kinën verilindore, Jilin, 4 persona humbën jetën të dielën dhe nuk dihet fati i njërit.
Miliona njerëz janë prekur nga moti ekstrem dhe valët e zgjatura të të nxehtit javët e fundit në mbarë botën, të cilat shkencëtarët thonë se po përkeqësohen nga ndryshimet klimatike.
/abcnews.al