GJKKO këtë të premte ka dhënë vendimin për 17 personat e arrestuar në vendin tonë të akuzuar të përfshirë në një organizatë kriminale për trafikimin e emigrantëve të paligjshëm.
Burime për abcnews.al bëjnë me dije se GJKKO ka dhënë masën e sigurisë arrest me burg për të arrestuarit, mes të cilëve janë një shtetas nga Egjipti, një nga Irani dhe një nga Turqia.
Të arrestuarit në këtë operacion janë Dushan Spahiu, Paulin Koçi, Petrit Pashaj, Indrit Hita, Enjat Myrtaj, Roland Ramadani, Emiljano Likaj (Gaçaj), Qazim Ismailaj, Fatjon Belaj, Zamir Muliu, të gjithë banues në Vlorë.
LEXO EDHE: U hapte “rrugët” klandestinëve, zbulohet koka e grupit kriminal, siriani që “kamuflohej” si shqiptar
Në pranga ka rënë Fatos Dusha, Robert Hysa, Arjol Lleshi, të tre banues në Tiranë si dhe Fatjon Koçllari, banues në Durrës, mes të arrestuarve është edhe një grua, Kristiana Sako, banuese në Divjakë. 3 të huajt e arrestuar janë Muhamed Abdurrahim Sherif (Alias) Abdel Rehim Muhamed Eli, banues në Egjipt; Mustafa Hysein Koseoglu, banues në Stamboll, Turqi; Mehdi Mamushli, banues në Iran.
Ndër të tjera kujtojmë se operacioni është zhvilluar njëkohësisht në tri shtete, Shqipëri, Itali dhe Greqi, si dhe në disa shtete të tjera, për shkatërrimin e një linje të kontrabandimit të personave të ndryshëm nga Lindja e Mesme drejt BE-së.
Në total janë goditur 4 grupe kriminale dy prej të cilave operonin nga Italia, një në Shqipëri dhe një në Turqi të cilat bashkëpunonin për trafikimin e klandestinëve. Nga ky operacion, janë lëshuar në total 47 masave të sigurimit personal, ndërsa janë prangosur 25 persona, 18 prej tyre shqiptarë. Nga hetimi i përbashkët janë dokumentuar 30 episode kontrabandimi të 1120 emigrantëve. Grupet fillimisht siguronin persona të ndryshëm në Irak, Siri, Egjipt dhe iu premtonin kalim drejt vendeve të BE-së kundrejt një shpërblimi monetar nga 5 mijë deri në 10 mijë euro./abcnews.al

