Nga Xhensila Kodra
Gjykata e Posaçme caktoi masën e sigurisë “arrest në burg” për gjashtë persona të akuzuar për trafikimin e automjeteve të vjedhura nga Kosova në Shqipëri, mes të cilëve edhe dy punonjës policie.
Në qeli deri përfundim të hetimeve do të qëndrojnë oficerja e Operacionales në Drejtorinë e Përgjithshme, Vojsava Doda, efektivi i Policisë Kukës, Endi Ahmetaj dhe të dyshuarit e tjerë Selaudin Shahini, Aurel Shatri, Ndriçim Shahini dhe Ervis Cara. Ata akuzohen për “trafik të mjeteve motorike” dhe “grup të strukturuar kriminal”.
Për efektivin e tretë të arrestuar, Fatri Braha, me detyrë në Pikën Kufitare të Morinës, Gjykata caktoi “arrest në shtëpi”. Hetimet zbuluan se ai nuk është pjesë e grupit griminal, por akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi nuk regjistroi në sistemin TIMS oficeren e operacionales.
Sipas SPAK, anëtarët e këtij grupi kriminal vidhnin mjete në Kosovë dhe u montonin targa shqiptare dhe nuk i regjistronin në kufi. Kreu i grupit ishte Selaudin Shahini, ndërsa të arrestuarit e tjerë ishin miq e lidhje shoqërore të tij.
Grupi u zbulua nga denoncimi i bërë nga një qytetar i Kosovës. Ai pikasi në Rrugën e Kombit mjetin e tij tip Golf 7 që po udhëtonte drejt Shqipërisë dhe lajmëroi menjëherë policisë. Efektivët e Kurbinit dhe të Lezhës nuk mundën ta ndalonin makinës e vjedhur. Mjeti u ndalua nga policia në Kamzë.
Efektivi Fatri Braha, punonjës i policisë në Morinë, tregoi për hetuesit se efektivja Vojsava Doda e veshur me uniformën e shtetit iu prezantua si agjente dhe i kërkoi të lejonte kalimin e automjetit pa e regjistruar, pasi ishte në ndjekje të një procedure urgjente. Braha theksoi se kishte mbajtur shënim të dhënat e saj dhe targën e makinës për ta regjistruar më vonë, pasi kjo situatë ndodhi pak minuta para se ai të linte shërbimin.
ARREST NË BURG
- Selaudin Shahini (kreu i grupit)
- Ndriçim Shahini (kushëri i Selaudinit)
- Ervis Cara (kushëri i Ndriçimit)
- Aurel Shatri (shok i Ervisit)
- Vojsava Doda (Punonjëse e Policisë – Lidhje e Selaudinit)
- Endi Ahmetaj (Punonjës i Policisë – Lidhje e Selaudinit)
/abcnews.al