Trafikonin makina të vjedhura nga Kosova, 7 të arrestuar, mes tyre tre punonjës policie

schedule11:25 - 26 Shkurt, 2022

schedule 11:25 - 26 Shkurt, 2022

Është shkatërruar një grup kriminal që merrej me trafikimin e makinave të vjedhura nga Kosova. Në kuadër të operacionit të koduar”Nacional”, janë vënë në pranga 7 persona mes të cilëve 3 punonjës të policisë.

Drejtuesi kryesor i grupit ishte shtetasi Selaudin Shahini, i cili në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore  kishte krijuar një rrjet personash që Trafikonin Mjete Motorike nga Kosova për në Shqipëri.

Shtetasi Ndricim Shahini me lidhjet e tij shoqërore në shtetin e Kosovës siguronte vjedhjen e automjeteve të markave të ndryshme në këtë shtet.

Më pas, personat më sipër, ofronin ndihmën në forma e metoda bashkëpunuese dhe bënin transportin e këtyre mjeteve nga shteti Kosovës per në Shqipëri nëpërmjet Pikës së kalimit Kufitar Morinë – Kukës.

Gjithashtu është shpallur në kërkim shtetasi J. Sh., 30 vjeç dhe janë sekuestruar 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.

Të arrestuarit:

Ndricim Shahini          (kushëri i Selaudinit),

Ervis Cara,                  (kushëri i Ndricimit)

Aurel Shatri                (shok i Ervisit)

Vojsava Doda (Punonjëse e Policisë – Lidhje e Selaudinit)

Endi Ahmetaj (Punonjës i Policisë – Lidhje e Selaudinit)

Fatri Braha                  (Punonjës i Policisë)

Njoftimi i policisë:

Finalizohet me sukses operacioni policor i koduar “Nacional”.

Operacioni nga DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP (Agjencia e Mbikëqyrjes Policore), DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë.

Goditet një grup i strukturuar kriminal, vihen në pranga 7 shtetas, 3 prej tyre punonjës Policie.

Shpallet në kërkim bashkëpunëtori i tyre.

Specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme në DVP Tiranë në bashkëpunim me AMP, DVP Kukës dhe Komisariatin e Policisë Krujë, pas një pune të mirëfilltë hetimore, organizuan dhe finalizuan me sukses operacionin policor të koduar “Nacional”, në kuadër të të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

– S. Sh., 31 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– N. Sh., 24 vjeç, banues në Tiranë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– E. C., 24 vjeç, A. Sh., 25 vjeç, të dy banues në Kamzë, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– V. D., 29 vjeçe, punonjëse Policie në strukturat operacionale të Policisë së Shtetit dhe  E. A., 24 vjeç,  punonjës policie në  DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprat penale “Trafikimi i mjeteve motorike” dhe “Grupi i strukturuar kriminal”;

– F. B., 38 vjeç, banues në Kukës, me detyrë punonjës Policie në DVP Kukës, arrestuar në flagrancë për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Shtetasi S. Sh., i cili ishte në rolin e drejtuesit, në bashkëpunim me lidhje të tij familjare dhe shoqërore, kishte krijuar një rrjet personash që funksiononin si një grup i strukturuar kriminal, dhe trafikonin mjete motorike të vjedhura, nga Kosova në drejtim të Shqipërisë.

Shtetasi N. Sh., nëpërmjet lidhjeve të tij shoqërore në Kosovë, siguronte automjetet e vjedhura në këtë shtet. Trafikimi i këtyre mjeteve bëhej nëpërmjet PKK Morinë, dhe kalimin e tyre, e kryente shtetasi F. B., me detyrë punonjës Policie në stacionin e Policisë Kufitare Morinë, i cili nuk i regjistronte mjetet motorike që kalonin.

Në vijim të veprimeve u shpall në kërkim bashkëpunëtori i tyre, shtetasi J. Sh., 30 vjeç.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 4 mjete, një shumë parash dhe 6 aparate celulare.

Vijon puna në bashkëpunim me autoritetet Policore të Kosovës, për identifikimin dhe kapjen e shtetasve të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!