Trafik me motor uji drejt Britanisë, 2 shqiptarët mohojnë akuzat

schedule18:25 - 7 Gusht, 2018

schedule 18:25 - 7 Gusht, 2018

6 persona janë shpallur fajtorë pasi tentuan që të trafikonin emigrantë shqiptarë nëpër anije të tejmbushura nëpërmes Kanalit Britanik.

Aktiviteti kriminal i bandës, që kishte si baze kryesisht Dymchurch në Kent, u zbulua pas një sërë gabimesh.

Policia ndërhyri ndaj bandës kur këta të fundit nisën të përdornin motorë uji (jet ski) tre vendëshe.

Të dënuarit, sipas asaj që shkruan BBC, janë dy britanikë babë e bir, Leonard dhe Alfie Powell, Wayne Bath Albert Letchfor, si dhe dy shqiptarët, Sabah Dulaj, 39 vjeç dhe Artur Nutaj, 23 vjeç.

Djali tjetër i Leonard Powell, George, pranoi fajësinë për rolin e tij në këtë organizatë kriminale më 15 Maj.

Dy të tjerë, Alan Viles dhe Francis Wade u shpallën të pafajshëm.

Në gjyqin që zgjati 9 javë u zbulua sesi se një anije e lidhur me bandën u desh që të shpëtohej pasi po mbytej. Varka mund të mbante deri në 6 persona, por në të kishte 20, përfshirë 18 emigrantë shqiptarë.

Autoriteteve britanike iu desh që të shpëtonin një tjetër anije, e cila po udhëtonte në drejtim të gabuar dhe i kishte mbaruar karburanti.

Nëse banda nuk do të ishte ndaluar në operacionin e drejtuar nga Agjencia Kombëtare e Krimit (NCA), ata do të kishin qenë të parët që do tentonin për t’i kaluar emigrantët nëpërmjet një prej rrugëve më të përdorura në botë, me anë të motorëve të ujit.

Hetuesit shprehën mbi të gjitha shqetësim për rrezikun që vjen nga njerëz të tillë, pa dijen e duhur mbi lundrimin.

“Kemi njerëz pa asnjë lloj eksperience detare që kontrollojnë anijet, nuk kanë asnjë lloj eksperience në lundrim, kanë kryer një kurs bazik 1-2 ditor dhe përpiqen të kalojnë në një kanal tejet të ngarkuar me anije gjatë natës në varka të vogla, pa përdorur drita apo radarë“, tha hetuesi Mark McCormack.

Në gjykatë u zbulua gjithashtu se emigrantët, meshkuj, femra e fëmijë, paguanin mbi 6 paund secili për rrugën nga Calais nëpërmjet Kanalit.

Banda në fjalë besohet se ka arritur që të kryejë të paktën një udhëtim me sukses, pasi më 11 Maj të 2016-s, autoritetet britanike gjetën një gomone të braktisur në një plazh në Dymchurch, me xhaketa shpëtimi për fëmijë në të.

Dy javë më vonë, policia franceze dalloi disa njerëz që sinjalizonin një varkë në ujërat e plazhit Cran d’Escalles pranë Calais.

“Normalisht nuk kishin ardhur për të bërë plazh“, tha prokurori Timothy Probert-Wood.

Dy ditë më vonë, banda u përpoq sërish, por këtë herë ata po survejoheshin nga agjentët e NCA.

Kishin marrë 18 emigrantë nga Franca, përfshirë 2 fëmijë të moshës 16 dhe 17 vjeç, si dhe një grua. Për fatin e tyre të keq u mbaroi karburanti duke i detyruar emigrantët që të braktisnin anijen, e cila u mbush me ujë.

Ata u shpëtuan nga një helikopter i rojes bregdetare.

Dy trafikantët që ndodheshin në anije, Mark Stribling 35-vjeç dhe Robert Stilwell, 33, u dënuan me burg në Korrik të 2016-s.

Megjithatë, banda e vijoi aktivitetin e saj, këtë herë duke blerë një anije më të madhe, në të cilën NCA kishte vendosur një përgjues për të dëgjuar planet për rrugën e ardhshme me emigrantë.

Pas tentativës së dështuar më 25 Korrik, për shkak të detit të trazuar, NCA regjistroi fshehurazi një takim të bandës ku blenë një motor uji.

Ata u arrestuan përpara se mjeti të mund të përdorej.

Të gjithë të pandehurit i kanë mohuar akuzat për ndihmesë të emigracionit të paligjshëm.

Dy shqiptarët Dulaj dhe Nutaj pretenduan se ishin “agjentë udhëtimi”, të cilët gjenin njerëz që dëshironin të shkonin drejt Mbretërisë së Bashkuar.

Dënimi për 6 të pandehurit do të jepet më datë 21 Shtator.//tvklan.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!