Trafik i rënduar në Vlorë, qytetarët të lodhur dhe stresuar

schedule21:30 - 7 Korrik, 2019

schedule 21:30 - 7 Korrik, 2019

Pasditen dhe mbrëmjen e djeshme në Vlorë u krijua një situatë ekstreme për shkak të trafikut kilometrik. Automjetet dhe qytetarët mbetën për disa orë të bllokuar në trafik, në temperatura përvëluese. Shumë prej tyre iu desh të rrinin 3 orë në trafik për të përshkuar 10 kilometra rrugë.

Relaksi i fundjavës pranë detit, iu doli për hundësh.

Mijëra qytetarë që kishin zgjedhur bregdetin e jugut për të pushuar, pasditen dhe mbrëmjen e së dielës mbetën të bllokuar në trafikun kilometrik.  Situata e rënduar niste që prej Llogarase, ndërkohë që problematika shtohej ndjeshëm në Orikum dhe Rradhimë.

Radhët kilometrike prishën ditën dhe humorin e mijëra pushuesve. Vetëm për të përshkuar 10 kilometra nga Llogaraja në Orikum, automjeteve iu janë dashur deri në tri orë. Edhe në afërsi të ujit të ftohtë trafiku ishte katastrofal.

Pas kësaj mbrëmje, me siguri që edhe turistët si ky do të mendohen dy herë nëse do vijnë apo jo.

Turisti i huaj: “Radhë e gjatë, me makina rreth dy orë për të bërë 15 kilometra”.

Nuk munguan dhe ata që u dorëzuan dhe u kthyen pas në fshatrat e bregut të kaluar natën dhe për t’u rinisur mëngjesin e së hënës drejt banesave dhe punëve të përditshme.

Mes shumë arsyeve për këtë situatë, ishte dhe ky autobus që bllokoi rrugën për disa orë.

Heqja e tij me mjete të rënda nga ana e policisë lokale të Vlorës, zhbllokoi disi situatën katastrofale të krijuar.

Kjo situatë duket se ishte paralajmëruar që paradite, kur uniformat blu kapitulluan përballë fluksit të automjeteve që hynë në Vlorë. Por trafik nuk pati vetëm në qytetin jugor bregdetar, por edhe në Durrës, Lezhë dhe Shkodër, drejt plazheve të cilëve udhëtuan mijëra qytetarë të tjerë.

/ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!