KURBIN- Në fshatin Zhejë të Kurbinit është organizuar një dasmë tradicionale e kësaj zone, e cila sot, në të vërtetë, nuk ndeshet më edhe aq shpesh.
Banorë të grupmoshave të ndryshme, të veshur me rrobat tradicionale të kësaj zone, kanë demonstruar pikërisht një prej traditave më të bukura të popullit tonë.
Në fakt, ky ka qenë edhe qëllimi i organizimit në këtë formë, për të prezantuar dasmën e hershme të traditës dhe për ta ruajtur atë.
Të stolisur me veshjet e zonës, një grup i përzgjedhur ka arritur të interpretojë më së miri një dasëm tradicionale. Një skenar ky i realizuar me shumë mjeshtëri, dhe i quajtur dasma e Zhejës. Fillimisht, u përcoll tradita e më shumë se 100 viteve të shkuara, kur dasmat niseshin disa ditë më parë, ndërsa si vegël muzikore ishte vetëm instrumenti i çiftelisë, që përcillte gëzimin dhe këngët e dasmave të hershme.
Leze Rrika Koreografe drejtore e Shkollës 9 vjeçare në Zhejë, në mënyrë perfekte kishte realizuar skenarin në mbi 100 valltarë duke ndjekur tërë veprimtarinë.
Jo vetëm banorë nga fshati i traditës, por dhe nga zona të tjera në Kurbin kanë ndjekur veprimtarinë duke shprehur dhe kënaqësinë e vazhdimësisë së kësaj tradite e cila rrallë demonstrohet në vend.
Ky eveniment është ndjekur dhe nga Majlinda Cara dhe Drejtori Rajonal i Arsimit, si dhe të tjerë përfaqësues nga institucionet.
Për këtë aktivitet kanë dhënë kontributin e tyre banorët e fshatit me realizimin e kostumeve të zonës, të gatimeve dhe shtrimin e drekës në sofrat e hershme të traditës./abcnews.al

