Nga Valbona Davidhi
Punimet e mirëfillta të artit popullor janë drejt zhdukjes në Fier, i cili mbart një traditë 30-vjeçare të endjes se qilimave dhe sixhadeve. Që prej vitit 1992, kur u mbyll e famshmja leshpunuesja e Fierit, qindra gra dhe vajza nisën punën në shtëpi. Sot prej tyre kanë mbetur vetëm disa grupe si zonja Neta dhe Donika.
Prej vitesh Neta dhe Donika me shumë dashuri dhe profesionalizëm e ushtrojnë ende këtë zanat.
Thonë se disa vite më parë, banorë të Fierit edhe qyteteve të tjera kanë pasur më shumë inters për blerë. Kurse në ditët e sotme ato kanë gjithnjë e më pak punë.
“Ka rënë, sepse janë rritur materiale, por edhe njerëzit s’i blejnë se i ka rënë ekonomia”, tregon Donika.
“Ndonjë fitimi të madh nuk ka. Ato bëjnë 500-600 mijë lekë. Ka dy vjet që puna ka rënë jashtë mase. I kemi ngritur 5 mijë lekë për metër katrorë, pasi janë rritur çmimi i ngjyrave dhe leshit”, vazhron Neta.
Është një zanat të cilin duhet ta duash shumë për të përballuar lodhjen që shkakton. Prej pasionit këto zonja nuk dorëzohen.
“Nuk heq dorë, kam blerë tezgjah të vogël për çentro se nuk rri dot pa punë”, thotë Donika.
“Kemi nga 1998 deri sot është e lodhshme si punë. Më duhet një muaj punë për të bërë një rrugicë me shoqet e bëj më shpejt”, thotë Neta.
Pas një pune të mundimshme, rezultatet janë vepra artistike të cilat i ekspozojnë me krenari edhe në shkallët e pallateve.
Një qilim në shtëpi, siç thonë vetë duarartat e tezgjahut, i jep mjedisit klas dhe stil.
“Qilimat e ndryshojnë shtëpinë, shtëpia ndrin. Janë të pavdekshme. Kam një qilim prej 50 vjetësh dhe është akoma i ri”, thotë Donika.
Arti i qilimave në mënyrë artizanale si një traditë që u shndërrua në profesion, po rrezikon të zhduket në Fier. Gratë e leshpunueses së dikurshme janë të vetmet dhe të fundit që punojnë ende me tezgjah. /abcnews.al