“Toyota Yaris”, 3 pyetjet e prokurorëve për Lulzim Bashën

schedule22:49 - 11 Qershor, 2019

schedule 22:49 - 11 Qershor, 2019

Prokuroria Belge me anë të letër-porosisë që mban datën 30 prill, i ka kërkuar Prokurorisë për Krime të Rënda, që të marrë për llogari të hetimit të tyre dëshminë e kreut të PD Lulzim Basha në lidhje me 3.4 milionë eurot që u gjetën në makinat Toyota Yaris që u kapën në portin e Durrësit në fund të qershorit e kaluar. Autoritetet belge kanë nisur një hetim paralel me autoritetet shqiptare mbi këtë çështje dhe kanë 12 persona nën hetim.

Me anë të një letër porosie Prokuroria Belge, i ka kërkuar Prokurorisë së Krimeve të Rënda, që të marrë në pyetje kryedemokratin Lulzim Basha, në cilësinë e personit që ka dijeni për ngjarjen e sekuestrimit të 3.4 milion eurove në portin e Durrësit. Edhe prokuroria Belge po kryen prej disa muajsh një hetim për 3.4 milionë eurot dhe janë duke hetuar 12 persona me akuzën e pastrimit të parave. Në kuadër të këtij hetimi, autoritetet belge kanë kërkuar që kryedemokratit Basha ti bëhen 3 pyetje:

-Si është informuar ai për prejardhjen e parave?

-Si është informacioni i saktë që ka marrë?

-Dhe nga kush i ka marrë këto informacione?

Vetë Basha është thirrur në prokurori 23 tetorin e vitit 2018 për të dëshmuar në lidhje me një hetim të nisur ndaj tij për nxjerrje të sekretit shtetëror për çështjen e “Toyota Yaris”-it.

Nga ana tjetër belgët kërkojnë që prokuroria e krimeve  të rënda t’u vërë në dispozicion, një kopje të dosjes, nëse kanë nisur një hetim menjëherë pas deklaratave të liderit të opozitës. Në kërkesën që mban datën 30 prill, ata kërkojnë që këto informacione së bashku me përgjigjet e Bashës t’i dërgohen në një kohë sa më të shpejtë.

Prokurorët e çështjes pritet që në ditët në vazhdim të thërrasin kryedemokratin  të japë shpjegime për 3.4 milion eurot që u gjetën në makinën “Toyota Yaris”.

Personat e proceduar në Belgjikë janë Alfred Vladi, Elvis Vladi, Edi Lika, Agim Ceka, Alban Mollaymeri, Niman Nimani, Alman Nimani, Albana Vladi, Arianit Nimani, Drita Sopo dhe Driton Hakaj.

Ndërsa në letër-porosinë e dytë që ka mbërritur në prokurorinë e krimeve të rënda, belgët kanë kërkuar që shuma e parave të sekuestrohet për llogari të atyre dhe të rimerren në pyetje 4 të arrestuarit Edi dhe Klevis Lika, Agim Ceka dhe Alban Mollaymeri.

Dy ditë para se 3.4 milionë euro të kapeshin në dy makina Toyota Yaris në Durrës, Lulzim Basha akuzoi nga foltorja e kuvendit kreun e grupit parlamentar socialist Taulant Balla si i përfshirë në këtë çështje, ndërsa Balla i cilësoi akuzat si shpifje.

Shitësi belg i makinave Toyota Yaris gjatë dëshmisë së tij, ka pohuar se nuk e njihte më parë personin shqiptar të cilit, ia ka shitur makinën, pasi e kishte kontaktuar përmes internetit e vetëm në një moment të dytë janë takuar nga afër, ku ka rënë dakord që t’i shiste automjetin Alban Mollaymerit. Emrin e Alfred Vladit në prokurori e ka zbuluar pikërisht Alban Mollaymeri.

Ai ka deklaruar para grupit hetimor, se disa muaj më parë, kishte porositur disa makina të tipit “Toyota”, nëpërmjet njeriut të tij Alfred Vladi, por nuk ka pasur aspak dijeni për shumën e parave, që u gjet brenda makinave.  Referuar përgjimeve telefonike rezulton se Mollaymeri ka komunikuar me Alfred Vladin, menjëherë sapo është vendosur bllokimi i automjeteve./ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!