Afrim Toverlani, trajneri i njohur dardan, disa vite më parë mori një ofertë nga klubi i Kukësit. Në një lidhje direkte me emisionin “Fan Zone” në Supersport, ai tregoi çfarë i kërkoi presidenti Safet Gjici dhe theksoi se në Shqipëri është më e vështirë të punosh, edhe për shkak të ndërhyrjeve të presidentëve.
“Kam folur me Gjicin. Kukësi ishte prapa Skënderbeut me 12 pikë. Ma tha a mund të dalim kampion. I thashë jo. Nëse duhet ta gënjesh dikë në sy, unë nuk e bëj dot. I garantova Europën, përmes kampionatit ose Kupës, pasi ishin endë në garë. Skënderbeu kishte skuadër të fortë, nuk ishte shkapërderdhur akoma. I thashë që nuk dalim dot kampion.
Herë tjera nuk kam pasur biseda të drejtpërdrejta. Kam pasur me ndërmjetësues. Me aq sa e njoh futbollin, në klubet e Shqipërisë në shumën e rasteve vendosin bosët, jo trajnerët. Ndoshta është klima më e mirë tani të punohet në Kosovë, se sa në Shqipëri. Kam folur me lojtarë që kanë luajtur atje dhe e di që është më e vështirë puna e trajnerit në Shqipëri”, tha Toverlani, trajneri i Feronikelit në Dardani. /abcnews.al