Tour de France/ Thyhet rekordi çiklistik, Mark Cavendish “parakalon” legjendën belge

schedule13:36 - 4 Korrik, 2024

schedule 13:36 - 4 Korrik, 2024

Ishte një nga ato finishe që do të mbeten në histori.

Mark Cavendish dihej që më parë se është një legjendë e çiklizmit, por tashmë e siguroi vendin në majë. Sprintieri britanik fitoi etapën e pestë të Turit të Francës të këtij viti duke lënë pas një “gjysmë perëndi”, teksa me 35 suksese në karrierë, ai tani ka një më shumë sesa Eddy Merckx, njeriu që cilësohet si mbreti i çiklizmit për të gjitha kohët.

I mbiquajturi “Kanibali” arriti deri në 34 fitore të etapave në rrethin më të madh e më të vjetër çiklistik të botës në vitet 60-të e 70-të.

Natyrisht, belgu i paarritshëm ishte më i kompletuari në këtë sport, i jashtëzakonshëm në malore dhe kronometër, i lindur për të fituar jo etapa, por Turin, duke marrë 5 tituj, ashtu si edhe 5 Giro d’Italia të Italisë e dy “La Vuelta”, të Spanjës.

Askush nuk krahasohet me Merckx, mirëpo, Cavendish e ka tani rekordin e fitoreve, edhe pse është thjesht çiklist i sprintit, hero i etapave fushore.

Në moshën 39-vjeçare, ai nuk dëshiron të ndahet nga biçikleta, madje pati një ndryshim zemre pasi u pensionua vitin e kaluar.  U kthye për të kapur rekordin që besohet se mund ta thellojë edhe më tej, ndonëse nuk është aspak favorit për të fituar garën franceze, teksa për do të luftojnë slloveni Pogacar dhe danezi Vingeggard. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!