Ardhja e teknikut australian, Ange Postecoglu në krye të pankinës së Tottenham, duket se do të ndryshojë shumë gjëra te “londinezët” e Spurs, ku ndryshimi më kryesor pritet ai i organikës, me teknikun që kërkon transferime të reja për sezonin e ri.
Sipas raportimeve më të fundit nga prestigjiozja britanike, “Daily Mail”, Postecoglu kërkon të sjellë në “Tottenham Stadium”, dyshen e “dhelprave” të Leicester, James Maddison e Harvey Barnes teksa kanë bërë dhe ofertën e parë zyrtare për të 2 lojtarët.
Klubi i Leicester tashmë i rënë në Championship janë prezantuar me një ofertë prej 60 milionë paundësh për të 2 lojtarët, ofertë kjo e kënaqshme për një ekip që militon në kategorinë e 2-të të futbollit në Angli.
Mirëpo, “londinezët” e Tottenham, nuk janë të vetmit të interesuar për dyshen e “dhelprave”, me “bardhezinjtë” e Newcastle, “çekiçët” e West Ham dhe Aston Villa-n e Unai Emery, që pëlqejnë shumë dyshen angleze. /i.m /abcnews.al