Disa ndeshje të rëndësishme u luajtën në mesjavë në Europë. Tottenham fitoi derbin ndaj Arsenalit në Kupën e Ligës në Angli, ndërsa Bayern shkurtoi diferencën me kreun e Bundesligës në Gjermani.
Dy fitore të ndryshme, por njëlloj të rëndësishme. Tottenham në Kupën e Ligës në Angli dhe Bayern në Bundesligë, i mbyllën me sukses ndeshjet e mesjavës, në ndjekje të objektivave. Spërsat triumfuan në derbin e Londrës së Veriut në fushën e Arsenalit, duke konfirmuar statusin si skuadra më e fortë e kryeqytetit britanik për momentin. Edhe pse Chelsea dhe Arsenali gjithashtu po zhvillojnë sezon pozitiv, skuadra e trajnerit Mauricio Poccetino bën diferencën. Koreanojugori Son dhe sulmuesi i Anglisë, Dele Ali, ishin autorët e golave dhe Tottenham u kualifikua për në gjysmëfinale të Kupës së Ligës.
Do të ketë përballë Chelsea, që fitoi me Bournmouth-in, ndërsa do të kërkojë trofeun e parë që nga viti 2008. Një incident ndodhi në minutat e fundit, pasi Dele Alli u godit me shishe plastike nga një tifoz i Arsenalit. Ylli i Tottenham-it reagoi duke i treguar rezultatin me gishta, tifozëve vendas, diçka për të cilën u kritikua nga kapiteni i tij, Harry Kane. Në Gjermani, ndërkaq, Bayern bëri detyrën në Bundesligë, por me shumë vështirësi ndaj Lajpcigut.
U desh të vinte minuta e 83-ët që të shënohej goli i vetëm i ndeshjes. Veterani Franck Ribery shpëtoi bavarezët dhe trajnerin Niko Kovaç, dhe tregoi se mbetet sërish i vlefshëm edhe pse klubi mendon ta largojë në fund të sezonit. Me këtë fitore, dhe me humbjen e Dortmundit, Bayern u afrua në 6 pikë distancë nga kreu i kampionatit, që mbahet po nga Dortmundi./abcnews.al