Skuadra e Tottenham nuk po kalon një moment aspak të mirë. Pasi u eliminua nga EFL Cup nga modestët e Colchester, “Gjelat” u turpëruan 2-7 nga Bayern Munchen në Champions League, si dhe 3-0 nga ekipi i Brighton, që konsiderohet si një nga ekipet favorite për të rënë nga kategoria.
Si pasojë, drejtuesit e klubit londinez kanë filluar të veprojnë. Drejtori ekzekutiv i Tottenhamit, Daniel Levy, ka pasur një takim me të gjithë lojtarët para se të grumbulloheshin me kombëtaret e tyre, ku nuk i ka kursyer kritikat dhe kërcënimet ndaj tyre.
Siç raportojnë mediat britanike, Levy iu ka thënë të gjithë lojtarëve se nëse nuk duan të qëndrojnë dhe të japin gjithçka për Tottenham, të bëjnë gati valixhet. Gjithashtu, Levy ka pasur dhe një bisedë ballë për ballë me trajnerin Pochetino, për të diskutuar për të ardhmen e këtij të fundit. Ditët e ardhshme, pritet të ketë shumë lëvizje në klubin londinez./abcnews.al