Totenham fiton në stadiumin e ri

schedule14:51 - 4 Prill, 2019

schedule 14:51 - 4 Prill, 2019

Totenhemi e përuroi me sukses stadiumin e tij të ri. Skuadra Londineze arriti fitore në Premier Ligë, dhe forcoi pozitat në zonën Champions. Totenhemi e peruroi me fitore stadiumin e tij të ri. Impianti, një vepër arti që kushtoi 1 miliard paund. Shikojeni mirë këtë mrekulli.

Është shtëpia e re e Totenhemit, e cila u hap për herë të parë këtë mesjavë.

Vetëm “Uembli”, lavdia e madhe e Londrës, ka kushtuar thuajse kaq sa ai, rreth 1 miliard paund stërlina, ndërsa futbolli po bëhet gjithnjë e më shumë një biznes global.

Klubi Londinez i presidentit Levi organizoi një ceremoni të shkëlqyer, e plotësisht të merituar, dhe skuadra e trajnerit Maurisio Poçetino u kthye më në fund në fushën e saj, pas gati tre vjetësh pikërisht në “Uembli”.

Kjo vepër arti me emrin “Totenhem Hotspur Stejdium” u ndërtua mbi ish-stadiumin e vjetër “Uajt Hart Lejn”, ka një kapacitet prej mbi 62 000 spektatorësh, ndërsa fusha e futbollit mund të zhvendoset e ndarë në dy pjesë, duke pasur nën të, një fushë me bar sintetik, që do të jetë për ndeshjet e futbollit amerikan apo për koncertet.

Totenhemi e përuroi siç duhet stadiumin, duke e fituar derbin e vogël të Premier Ligës ndaj Kristël Palasit.

Nderi i golit të parë i takoi një miku nga shumë larg, sulmuesit nga Koreja e Jugut, Son Heung-min, dhe kjo ndodhi në minutën e 55-të.

Mesfushori danez, Kristian Eriksen, shtoi të dytin 10 minuta përpara fundit.

“Kjo ishte dita jonë e dytë në stadium, por gjithnjë e më shumë po ndihemi si në shtëpi, do të jetë një vend i rëndësishëm për ne, në të ardhmen, dhe mendoj se bëmë zgjedhjen e duhur. Rreziqet janë, por në futboll, ashtu si në jetë, duhet t’i marrësh në parasysh rreziqet”, tha trajneri Poçetino në përfundim.

Ndeshja e javës së 32-të të kampionatit ishte jo vetëm festë, në prani të mbi 59 000 tifozëve, por edhe një hap para në objektivin për në Champions.

Totenhemi u rikthye në vendin e tretë të Premier Ligës me 64 pikë, ndaj 63 të Arsenalit e Çelsit.

E vërteta është që Arsenali ka luajtur një ndeshje më pak, ndërsa Mançester United ka zbritur në vend të gjashtë me 61 pikë./abcnews.al