Mikel Arteta e ka transformuar totalisht Arsenalin. Trajneri spanjoll po bën një punë shumë të mirë në stol, “Topçinjtë” janë rikthyer të luajnë bukur e të fitojnë trofe, teksa tifozët ndihen entuziastë për ekipin që është krijuar.
Lucas Torreira është drejt largimit dhe drejtuesit e klubit londinez e kanë piketuar pasardhësin e tij. Mesfushori uruguaian pritet të vazhdojë karrierën tek Atletico Madrid, edhe pse u përfol shumë për një rikthim në Serie A.

SkySports UK zbulon objektivin e Arsenalit dhe ai është Jorginho, italo-braziliani i Chelsea. 28-vjeçari, emri i të cilit është lidhur me një kalim te Juventusi, nuk cilësohet si i pashitshëm nga Frank Lampard, trajneri i “Bluve të Londrës”.
Afrimet e shumta kanë rritur konkurrencën dhe Jorginho nuk e ka të sigurt postin e titullarit në ekip. Nga kjo situatë po tenton të përfitojë Arsenali. Arteta i pëlqen shumë karakteristikat e lojtarit të kombëtares italiane dhe po përgatit ofertën e duhur për Chelsea. /abcnews.al

