Toronto arriti më në fund në finalen e madhe të basketbollit amerikan. Skuadra kanadeze, e udhëhequr nga Leonard, eliminoi Miluokin, dhe tani do të sfidojë kampionen Golden Stejt
Nëse nuk do të ndodhte, nuk do të kishte shpresë, dhe njerëzimi nuk do të ecte përpara.
Suksesi, edhe pse shkon me më të fortët shumicën e kohës, nuk i përket vetëm dikujt, por mund ta arrijnë edhe të tjerët.
Toronto Raptors u kualifikua për herë të parë në histori në finalet e NBA-së, pasi fitoi përsëri ndaj Miluokit.
Ishte thuajse një mrekulli, pasi kanadezët nuk e kishin avantazhin e fushës, dhe pësuan humbje në dy ndeshjet e para në Miluoki.
Menjëherë pas kësaj, ata reaguan fuqishëm dhe fituan katër herë po radhazi, duke i dhënë fund me sukses finaleve të Konferencës, e duke u shpallur po për herë të parë kampionë në Lindje.
Koui Leonard shkëlqeu si një yll i madh, duke udhëhequr ekipin me 27 pikë, 17 topa në tabela e 7 asistë.
Edhe pse pjesërisht i dëmtuar, ai ishte më i miri në fushë, ndërsa shtoi edhe 2 vjedhje topi, e dy bllokime gjuajtjesh.
Pika e tij më e dobët ishte tek gjuajtjet për 3 pikë, duke realizuar vetëm 1 nga 8 prova.
Gjithsesi, Leonard e fitoi duelin me Janis Antetokumbon, i cili duket se nuk e ka ende përvojën e duhur.
Greko-afrikani sërish nuk luajti keq, me 21 pikë, 11 topa në tabela, 4 asistë, 2 vjedhje topi e 3 bllokime gjuajtjesh.
Torontos iu desh sërish të bënte një reagim të madh, pasi u ndodh në -15 pikë, pra shumë pranë humbjes.
Në pjesën e tretë dhe të katërt, kanadezët kthyen fatin e ndeshjes, falë edhe lojtarëve të tjerë në skuadër si Siakam (me 18 pikë), Louri (me 17) apo Vanvlit (me 14 pikë).
Tashmë, Raptorsët do të luajnë finalen e madhe të NBA-së ndaj Golden Stejtit, me ndeshjen e parë në mëngjes herët të 31 majit në Toronto./ABC News Albania 24/7