Torassa në dyshim për derbin, Muçi: Fitojmë ne, shënoj tre gola

schedule08:17 - 3 Dhjetor, 2020

schedule 08:17 - 3 Dhjetor, 2020

Tirana dhe Partizani përballen nesër në “Air Albania” në atë që quhet derbi i Shqipërisë. Bardheblutë janë skuadra më me shumë probleme dilema. Nëse mungon Çelhaka, në dyshim për nesër është Agustin Torassa.

 

Argjentinasi ditën e djeshme ka shfaqur shqetësime në gjurin e tij dhe është detyruar të lërë stërvitjen para kohe. Ky problem është i trashëguar nga më parë, teksa te bardheblutë shpresojnë që argjentinasi të shtrëngojë dhëmbët dhe të jetë në fushë nesër.

Nga ana tjetër, ai që Tirana shpreson më shumë se mund të bëjë diçka është Ernest Muçi. Talenti është i vetmi lojtar produktiv para portës dhe të gjithë e kanë peshuar besimin te ylli bardheblu. Së fundmi ai ka dhënë një intervistë për Panorama Sport dhe është i bindur se kampionët në fuqi fitojnë nesër. Muçi premton tre gola.

 

“Jam shumë i motivuar për këtë ndeshje. Qëllimi është të fitojmë dhe të shlyejmë këto tri ndeshje jo të mira për ne. Njerëzit besojnë te ne dhe në këtë javë të rëndësishme për ne. Do të shohim çfarë do të ndodhë pas 90 minutave. Shpresoj të fitojmë dhe t’ua shpërblej të gjithëve që besojnë te mua.

Formulë për golat? Goli është i thjeshtë. Duhet të luftosh gjatë gjithë ndeshjes dhe të vjeshësh hapësirën që të lë kundërshtari, nga minuta e parë deri te fundit. Shansi do vijë, thjesht të shfrytëzoj momentin.

 

Periudha e vështirë e Tiranës? Është pak e vështirë të japësh një përgjigje të saktë. Ndoshta edhe fati s’është me ne. Kemi pësuar gola të evitueshëm. Me kalimin e kohës ekipi do të mësohet me trajnerin e ri. Do bashkohemi, do kemi harmoni perfekte dhe do fitojmë ndeshjet. Vijmë nga dy barazime dhe do jemi shumë të motivuar për të fituar në derbi.

 

Do japim më të mirën dhe kjo ndeshje do të jetë kthesa drejt fitoreve. E fitojmë derbin. Ky është mendimi im. E duam më shumë këtë ndeshje. Jemi në të njëjtën situatë me sezonin e kaluar. Vijmë nga një situatë e ngjashme dhe kemi treguar se dimë të reagojmë në momente jo të mira.

Partizani vjen nga seri pozitive ndeshjesh. Ndoshta janë të ngopur. Sa gola në derbi? Tre, shpresoj. Do të jetë akoma më mirë. Unë mendoj se do dalim me fitore dhe do e kthejmë situatën e vështirë siç bëmë vitin e kaluar. Të bëjmë maksimumin në stërvitje dhe 100% në fushë dhe kam bindjen se do ia dalim më sukses”, u shpreh Muçi. /abcnews.al