Ish-presidenti Bamir Topi ka deklaruar në një intervistë në Abc News se ndërhyrja e ndërkombëtarëve ka ardhur për shkak të cilësisë së ulët të politikës dhe aftësisë në vendimmarrje për çështje të rëndësishme.
Topi tha se politika në vend është e destabilizuar pikërisht prej hapit të gabuar të PD dhe LSI për të djegur mandatet, e cila solli në Kuvend individë që sipas tij nuk janë aty prej meritës.
Megjithatë ai veçoi disa individë që qëndruan në Kuvend pavarësisht vendimit të partive të tyre, duke theksuar se ata duhet të përfshihen në vendimmarrje.
“Ndërkombëtarët janë futur sepse janë të aftë dhe kanë një vizion të qartë të aktualitet. E shikojnë këtë moment si të rëndësishëm dhe nëse gjërat nuk shkojnë si duhet, atëherë mund të provokohet një destabilitet politik në Shqipëri. Është ngritur Këshilli Politik për të kthyer opozitën e dalë nga parlamenti.
U futën në një proces për të futur në parlament njerëzit rezidualë të listave. Sikur të kishe pasur tre ose katër vetë dhe të mos mbushej me të tjerë që nuk kanë asnjë lloj kualiteti do kishte një tjetër qasje. Edhe vetë ata ndihen të fyer.
Me përjashtim të atyre që nuk dolën nga Kuvendi si Myslym Murrizi, Rudina Hajdari. Ata duhet të jenë pjesë e kësaj vendimmarrje. Zonja Hajdari është atje por artikulohet se nuk e dëgjon njeri.
Sa i përket dozës së ndërhyrjes së ambasadorëve nuk është faji i tyre. Ata janë shumë korrekt në komunikim. Nuk mund të kesh sjellje të çuditshme sepse je vend i NATO-s. Kur nuk ke një politikë të aftë për vendimmmarrje të rëndësishme ndërhyrja e tyre rritet”, u shpreh Topi./abcnews.al