Gjermania pret në mbrëmje kombëtaren e Hollandës. Një duel ku do të vendoset shumë rreth fateve të tulipanëve. Mesfushori i Gjermanisë Toni Kros e konsideron si ndeshjen më të rëndësishme në këto kualifikuese.
Gjermani-Hollandë është kryendeshja e grupit C. Një sfidë nga ku do të vendoset jo pak rreth fateve të Hollandës që rrezikon të mbetet jashtë europianit të vitit të ardhshëm edhe pse është e tejmbushur me yje. Irlanda e Veriut kryeson grupin dhe ndiqet nga Gjermania me tre pikë më pak, ndërkohë që tulipanët janë vetëm në vendin e tretë plot 6 pikë larg pancerave. Trajneri i Gjermanisë Hoakim Lev do të bëjë disa ndryshime për këtë takim, ndërkohë që në kampin kundërshtar nuk ka ndryshime.
Mesfushori dhe lideri i mesit të fushës te Gjermania, Toni Kros e konsideron takimin në fjalë si më të rëndësishmin në këto kualifikuese për kombëtaren e tij si dhe kërkon përqendrim maksimal nga lojtarët.
“Mendoj se do të jetë një ndeshje interesante përballë një kundërshtari që e njohim mirë. Hollanda është rritur shumë. Kanë në përbërje futbollistë shume të talentuar. Duhet të përqendrohemi maksimalisht për këtë duel. Grupi jon i lojtarëve është më i mirë se një vit më parë. Jemi përmirësuar shumë nga ndeshja në ndeshje dhe presim vetëm rezultate pozitive. Trajneri Lev na ka ndihmuar shumë. Ai po e rikthen këtë skuadër aty ku e meriton pas dështimit në botëror. Jemi gati për sfidën me Holandën dhe do të japim maksimumin nga ky takim”.
Ndeshjen e radhës Gjermania do ta luaje ndaj Irlandës së Veriut ndërkoheë që Holanda do të udhëtojë në transfertën e Estonisë. /ABC News Albania 24/7