Zëvendësministrja e Shëndetësisë, Eugena Tomini e ftuar në Radari Informativ në “ABC” foli për situatën epidemiologjike në vend si edhe procesin e vaksinimit kundër Covid-19.
Gjatë bisedës në studio me gazetaren Jonida Shehu, Tomini tha se më e keqja e pikut të muajit shkurt dhe tetor ka kaluar.
Gjithashtu Tomini sqaroi se rreth 19,8 % e popullatës janë të vaksinuar me një dozë anti-Covid, ndërsa mbi 140 mijë individë janë vaksinuar me të dyja kundër koronavirusit.
“Rastet e vdekshmërisë nuk mund reflektojnë brenda 24 orëve. Mund të kenë disa ditë qëndrimi në spital. Është shumë e rëndësishme që asnjë shenjë të mos neglizhohet pavarësisht se aktualisht jemi në kushte të një situate më të qetë epidemiologjike”, tha Tomini.
Sa i përket procesit të vaksinimeve, Tomini tha se aktualisht imunizimi masiv është përkrahur jashtëzakonisht shumë, duke shtuar se ka pasur mbi 300 mijë persona të grupmoshës së tretë që janë vaksinuar me dozën e parë kundër koronavirusit dhe janë në proces me dozën e dytë.
“Vaksinimi paralel i fashave, me grupet e riskut, mjekët, gazetarët, uniformat blu, kanë ndikuar që hallka të ndryshme të infektimit të ndërpriten”, u shpreh ajo.
Po ashtu Tomini tha se fushata e vaksinimit ka ecur me ritme të mira pasi për 10 ditë janë arritur 600 mijë vaksinime, ndërsa pritet që shumë shpejt të thyejë objektivin me 1 milion të vaksinuar.
“130 mijë individë e kanë kaluar sëmundjen me diagnozë laboratorike. Individët që vaksinohen me Pfizër për dy javë e kanë imunitetin e plotë, ndërsa grupi i të vaksinuarve me AstraZeneca e kanë 8 deri në 12 javë”, u shpreh Tomini.
/abcnews.al/