Qeveria ka nisur punën për hartimin e një reforme ligjore për kontrollin e territorit, pas aksioneve të ndërmarra për lirimin e hapësirave publike. Kryeministri Edi Rama thotë se ligji i ri nuk do të lejojë zaptimin e tokave, që jo në pak raste janë toleruar nga pushteti vendor në dëm të komunitetit. Për këtë, shefi i qeverisë ka kërkuar rifreskim të drejtorive në disa bashki.
Toleranca ndaj tokave të xanuna në kurriz të komunitetit apo lejeve me shkelje në kurriz të qytetit, që janë pranuar nga qeverisja vendore si bashkëudhëtare të jetës urbane, ndërkohë që inspektoriatet e mbrojtjes së territorit dhe policitë bashkiake janë bërë në të shumtën e rasteve pjesë e problemit, do të adresohet rrënjësisht me një reformë të re ligjore të kontrollit e të zhvillimit të territorit.
Rama paralajmëron edhe të tjera reforma të cilat lidhen me ujin e pijshëm, menaxhimin e mbetjeve apo naftën, edhe si prioritete të mandatit të katërt qeverisës.
Paralelisht po punohet me disa reforma të reja të shërbimit me ujë të pishëm, të sistemit të pastrimit e të përpunimit të mbetjeve, të furnizimit të popullit me naftë e me barna, si edhe të shërbimit spitalor, që do të jenë piketat e hyrjes në rrugën e mandatit tonë të katërt për Shqipërinë 2030 në Bashkimin Europian.
Prej disa ditësh, qeveria ka nisur një aksion të gjerë në të gjithë vendin për lirimin e hapësirave publike. Inspektoriati i Mbrojtjes së Teritorit dhe Policitë Bashkiake kanë zbarkuar në terren, ku deri tani janë shembur disa objekte, janë hequr çadra, shezlongë të vendosura pa leje në zonat bregdetare po ashtu janë liruar shumë hapësira I janë kthyer qytetarëve edhe brenda qyteteve./abcnews.al

