Tmerri nga tërmeti që goditi Shqipërinë, Andi Lila u rrëfehet grekëve

schedule10:21 - 30 Nëntor, 2019

schedule 10:21 - 30 Nëntor, 2019

Andi Lila nuk e ka përjetuar tërmetin e fortë që Shqipëria ndjeu në orët e parë të 26 nëntorit. Futbollisti i Tiranës ka qenë jashtë vendit, ndërkohë që në Greqi interesohen të mësojnë mbi atë që ka ndodhur në vendin tonë. “Super FM” ka intervistuar ish-futbollistin e PAS Gianinna, i cili falënderon grekët për angazhimin e tyre për të ndihmuar shqiptarët në një moment të vështirë si ky.

“Unë dhe familja ime nuk kemi asnjë problem. Tërmeti ishte shumë i madh, ka më shumë se 40 të vdekur.  Ndaj edhe njerëzit po e vuajnë psikologjikisht. Epiqendra ishte pranë shtëpisë sime, por nuk isha në Shqipëri kur ra tërmeti. U ktheva menjëherë, pasi të gjithë kërkojnë ndihmë”, shprehet Lila fillimisht.

Më tej ai shton: “Dua të falënderoj EMAK, që erdhi nga Greqi menjëherë. Tërmeti e goditi vendin në 4:00 të mëngjesit dhe ata erdhën në 6:00. Njerëzit po qëndrojnë jashtë shtëpive të tyre, pasi nuk janë mirë psikologjikisht. Ata janë të frikësuar, pasi tërmeti është shoqëruar me 500 pasgoditje dhe një pjesë e tyre janë mbi 5 Richter”.

Lila pranon se po e mendojnë të shkojnë disa ditë në Janinë, për t’u qetësuar pak. “Familja ime ishte në Shqipëri kur ra tërmeti. E përjetuan atë dhe kishin frikë. Po e vuajnë psikologjikisht dhe mbase mund të vijmë në Janinë disa ditë për t’u çlodhur pak”, tregon kavajasi, i cili tregon se ka pasur edhe një telefonatë me presidentin e PAS Giannina, z. Christovasilis.

“Kam biseduar me të në telefon dhe më tha që për çfarë që të na duhet, do të jenë pranë nesh. E falënderojmë shumë, gjithashtu edhe klubin e PAOK që gjithashtu u mobilizua për të na ndihmuar. Falënderim i madh shkon për të gjitha ata që duan ta ndihmojnë vendin tim në këtë moment të vështirë që po kalon”, është shprehur Lila. /abcnews.al