Tjetër pako-bombë për CNN, rasti i tretë brenda javës

schedule22:43 - 29 Tetor, 2018

schedule 22:43 - 29 Tetor, 2018

Trendi i pakove bombë në Shtetet e Bashkuara nuk ka të ndalur pavarësisht arrestimit të një personi të dyshuar si dërguesi i tyre. Të hënën pakoja e radhës u lokalizua në Atlanta dhe si destinacion kishte zyrat e televizionit CNN, i njohur për linjën kritike ndaj presidentit Donald Trump.

Një tjetër pako e dyshimtë në adresë të zyrave të rrjetit informativ amerikan CNN është gjetur të hënën në Shtetet e Bashkuara. Pakoja me pajisje eksplozive u gjet në zyrën postare të Atlantës, ku ndodhet dhe selia qendrore e televizionit. Presidenti i rrjetit, Xhef Zuker u kujdes të lajmëronte stafin e tij se jeta e tyre nuk kishte qenë në asnjë moment në rrezik. Ndërkohë, departamenti i policisë lokale deklaroi se pakoja ishte identike me ato të dërguara më herët nga i dyshuari Sezar Sajok, që u arrestua të premten. Pakoja e së hënës është e treta në më pak se një javë që dërgohet në adresë të CNN. E para mbërriti të mërkurën në zyrat që ndodhen në godinën Tajm Uorner në Nju Jork, e cila qëndroi e evakuuar për 5 orë e gjysmë.

E dyta u gjet të premten, të njëjtën ditë kur një pako i ishte dërguar edhe ish-shefit të Inteligjencës Kombëtare, Xhejmes Kleper, e cila përmbante një pajisje shpërthyese të modelit bombë-tub. Në reagimin e tij, Clapper u shpreh se ky është një rast i terrorizmit të brendshëm, duke përforcuar zërat për një mesazh politik të republikanëve të udhëhequr nga Donald Trump në prag të zgjedhjeve të nëntorit. Më herët, pako të tilla i ishin dërguar ish-presidentit Barak Obama, ish-sekretares së Shtetit Hillary Clinton, ish-prokurorit të përgjithshëm Erik Holder, ish-shefit të CIA-s Xhon Brenan dhe senatorëve Kamala Herris, Kori Buker dhe Maksin Uoters./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!