Tjetër grua akuzon Joe Biden për ngacmim

schedule19:15 - 2 Prill, 2019

schedule 19:15 - 2 Prill, 2019

Një tjetër grua ka akuzuar ish-zëvendës presidentin amerikan Xho Bajden për sjellje të pahijshme. 43-vjeçarja i ka kërkuar atij që përballë akuzave të tërhiqet nga ambiciet për Shtëpinë e Bardhë, por vetë Bajden është përgjigjur duke thënë se asnjë herë nuk është sjellë në mënyrë të papërshtatshme.

Një tjetër grua ka akuzuar ish-zëvendës presidentin amerikan Xho Bajden për sjellje të papërshtatshme. Bëhet fjalë për Emi Lapos, ish-asistente e një kongresmeni, e cila ka deklaruar se Bajden e ka prekur gjatë një takimi për mbledhje fondesh rreth një dekadë më parë. Akuza e radhës ndaj atij që shihet si kandidati favorit i demokratëve për Shtëpinë e Bardhë vjen pas asaj të një gruaje tjetër, Lusi Flores, e cila disa ditë më parë tha se Bajden e kishte puthur në kokë gjatë një eventi elektoral. Zonja Lapos, 43 vjeçe, ka saktësuar se Bajden i kishte prekur fytyrën me të dyja duart dhe fërkuar hundën me të në një shtëpi private në Konektikat në vitin 2009.

Ajo i ka bërë thirrje zotit Bajden që të mos garojë për Shtëpinë e Bardhë, pasi veprimet e tij nuk i shkojnë për shtat një burri shteti. Nga ana e tij, Bajden ka reaguar duke deklaruar se nuk beson të jetë sjellë në mënyrë të papërshtatshme me askënd. “Në shumë vite, në shumë fushata elektorale dhe në jetën time publike kam shtrënguar shumë duar, kam përqafuar shumë njerëz, kam shprehur dashuri, mbështetje dhe afrimitet, por asnjë herë të vetme nuk jam sjellë në mënyrë të papërshtatshme”, ka thënë Bajden përmes një deklarate për shtyp. Ditën e hënë, një zëdhënës i tij akuzoi elementë të së djathtës për keqpërdorim të fotove të Bajden pranë grave të ndryshme për të ngritur akuza ndaj tij./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!