Tjetër “goditje” për Skriniar, Conte gjen në Gjermani anësorin e munguar

schedule17:56 - 26 Qershor, 2020

schedule 17:56 - 26 Qershor, 2020

Ndeshja kundër Sassuolos shkoi shumë keq për Interin dhe Milan Skriniar. Zikaltrit barazuan 3-3 dhe lanë dy pikë shumë të rëndësishme, ndërsa mbrojtësi sllovak u ndëshkua me të kuqe në minutat shtesë.

Ai reagoi keq ndaj arbitrit kryesor, veprim për të cilin u pezullua me tre ndeshje. Jo vetëm kaq, pasi 25-vjeçari ka marrë edhe një “goditje” nga Interi. Drejtuesit kanë vendosur të mos e apelojnë vendimin e Disiplinës dhe lojtarin e pret një gjobë për ofendimet ndaj arbitrit.

Në kampin zikaltër ka lëvizje në merkato. Antonio Conte ka kërkuar një mbrojtës të djathtë, i cili mund të bëjë mirë dy fazat, atë mbrojtëse dhe atë ofensive. I preferuari është Achraf Hakimi, 21-vjeçari i Real Madrid.

Marokeni është huazuar prej vitit 2018 te Dortmund dhe ka shkëlqyer me verdhezinjtë. Sivjet ka shënuar 4 gola në Champions League dhe numëron 5 gola dhe 10 asiste në kampionat. Shifra fantastike dhe kalimi tek Interi është shumë afër.

El Chiringuito raporton se “Los Blancos” nuk e kanë në plane, titullari në linjën e djathtë është Carvajal. Vetë Hakimi ka pranuar propozimin zikaltër dhe ndihet entuziast për transferimin në Serie A.

Marrëveshje ka edhe mes dy klubeve. Interi do të paguajë 40 milion euro në arkat e Real Madrid dhe kanë mbetur për t’u zgjidhur vetëm disa detaje të vogla. Akordi zyrtar është afër dhe Contes, një trajner që bazohet shumë te loja në krah, i plotësohet dëshira për krahun e djathtë. /abcnews.al

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!