Tjetër anije me emigrantë, Italia marrëveshje me BE-në

schedule21:10 - 12 Shtator, 2019

schedule 21:10 - 12 Shtator, 2019

Italia ka ndryshuar qasje ndaj emigrantëve me daljen jashtë loje të kreut të ekstremistëve Mateo Salvini. Qeveria e re në Romë ka arritur një marrëveshje me vendet e BE-së për ndarjen e emigrantëve që ndodhen në një anije që po i afrohet ishullit të Lampeduzës.

Qeveria italiane deklaroi të enjten se ka arritur një marrëveshje me vendet e BE-së për të ndarë emigrantët që ndodhen në një anije në detin Mesdhe. Bëhet fjalë për marrëveshjen e parë, që do të shërbejë si një test për marrëdhëniet e reja mes Romës dhe Brukselit. Anija “Ocean Viking”, që ka në bord 82 persona të shpëtuar në operacione të ndryshme, ka bërë kërkesë për një port për të ankoruar. Qeveria e Xhuzepe Konte që u betua javën e kaluar ka premtuar një ndryshim të qasjes kundrejt emigrantëve krahasuar me atë të administratës së mëparshme, që në ndikimin e Mateo Salvinit zgjidhte politikën e porteve të mbyllura. Duke folur pas një takimi me ministrat e tij ditën e enjte, kryeministri Konte tha se vende të ndryshme të BE-së kanë pranuar të marrin emigrantët. Marrëveshja u vlerësua edhe nga kryetari i Partisë Demokratike të majtë, Nikola Xingareti, i cili e cilësoi një “akord pozitiv”, të arritur falë përfshirjes së vendeve të tjera të BE-së. Anija “Ocean Viking” aktualisht ndodhet mes Maltës dhe ishullit italian të Lampeduzës. Emigrantët në bord janë të gjithë afrikanë dhe mes tyre janë edhe 17 fëmijë. Linja e ashpër e Salvinit ndaj emigracionit i dha popullaritet partisë së tij Liga e Veriut, që muajin e kaluar u tërhoq nga koalicioni me Lëvizjen 5 Yjet, në përpjekje për të shkuar në zgjedhje të parakohshme. Por marrëveshja e 5 Yjeve me Partinë Demokratike çoi në krijimin e qeverisë së re. /ABC News Albania 24/7