Titulli “Mjeshtër i Madh” për dy sportistë historikë, presidenti Meta i dekoron

schedule13:57 - 2 Qershor, 2020

schedule 13:57 - 2 Qershor, 2020

Presidenti i Republikës, Sh.T.Z. Ilir Meta ka vlerësuar me titullin “Mjeshtër i Madh”, dy figura të rëndësishme të sportit shqiptar: ish-futbollistin shkodran Ferid Rragami dhe ish-atletin e njohur Vildan Tufi.

Në vlerësim të kontributit të shquar dhe rezultateve të shkëlqyera sportive, si një nga futbollistët më të spikatur të ekipeve Vllaznia, Partizani dhe Ekipit Kombëtar, pata kënaqësinë të çmoja me Titullin e lartë “Mjeshtër i Madh”, Ferid Rragamin, mesfushorin energjik, elegant dhe me personalitet të veçantë në fushën e blertë, lojtarin e viteve ’70-’80 që do ta donte çdo skuadër e madhe.

I dalluar për inteligjencën, forcën, harmoninë dhe për frymën e ekipit, Rragami ka spikatur edhe në angazhimin e tij të palodhur për promovimin cilësor të sportit të futbollit dhe edukimit fizik, duke frymëzuar e trajnuar edhe shumë të rinj dhe fëmijë.

Futbolli shkodran sot ka nevojë të vlerësojë më mirë historinë e tij të lavdishme dhe unë besoj se Shkodra e ka potencialin e duhur për t’u rikthyer në majat më të larta të futbollit si dikur“, shkruan presidenti i Republikës.

I njëjti titull iu akordua edhe Profesor Tulit, me këtë motivacion: “Në shenjë vlerësimi për rezultatet e larta dhe kontributin shumëvjeçar si atlet e trajner kampion në sportin e atletikës, veçanërisht në garat e kërcimit së gjati, trehapësh, garat e shpejtësisë dhe 10-garësh.

Pasioni dhe profesionalizmi i tij do të mbeten një shembull i çmuar në përgatitjen dinjitoze të atletëve elitarë dhe frymëzim për kampionët e ardhshëm të atletikës tonë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar”. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!