Brazili mposhti 3-0 Venezuelën mbrëmjen e kaluar, duke e nisur me fitore aventurën në Kupën e Amerikës 2021. Neymar shënoi golin e dytë të ndeshjes (me penallti), teksa dhuroi asistin e golit të Gabriel Barbosa.
Me pasimin e dhuruar për lojtarin e Flamengos, ylli i PSG-së ka barazuar rekordin e legjendës Pele sa i përket asisteve (nga 47 me kombëtaren braziliane). Trajneri i pesë herë kampionëve të botës, Tite nuk i kurseu elozhet për sulmuesin.
“Ideja kryesore ishte të mos bënim shumë ndryshime në ekip. Nëse ndodh një gjë e tillë, dëmtohet struktura që kemi ndërtuar gjatë seancave stërvitore. Ti i heq besimin lojtarëve dhe ata nuk ndihen mirë.
Neymar? Ai është një lojtar me cilësi të shkëlqyera teknike individuale dhe luan mirë me të dy këmbët, është i paparashikueshëm. Kur arrijmë ta vendosim sa më afër portës kundërshtare, ai ndihet më i sigurt.
Mbrojtësi kanë frikë t’i ndërhyjnë rrezikshëm afër zonës së tyre. Kemi zgjedhur një taktikë ndryshe. Neymar merr më pak topa, por në një mënyrë më efikase për të krijuar raste për gol. Ky është qëllimi që kemi“, deklaroi Tite. /abcnews.al