Tiranë, linjat e autobusëve të Trafikut Urban tashmë edhe në Google Maps

schedule13:20 - 3 Maj, 2024

schedule 13:20 - 3 Maj, 2024

Stacionet e autobusëve dhe të gjitha linjat e Transportit Publik në Tiranë tashmë mund të gjenden online në Google Maps. Qytetarët mund të gjejnë përmes aplikacionit google maps jo vetëm stacionet e autobusëve ku ndodhen, por edhe rrugët alternative dhe linjat që të çojnë më shpejt në destinacionin e tyre. Një gjë e tillë pritet t’ju vijë në ndihmë turistëve të huaj që duan të vizitojnë zona të ndryshme të kryeqytetit duke përdorur Transportin Publik, por edhe qytetarëve shqiptarë që vinë kryesisht nga zona të tjera të vendit dhe kanë vështirësi për t’u orientuar në kryeqytet.

Për të gjetur rrugët e mbërritjes në destinacionin e duhur përmes transportit publik dhe stacionet e autobusëve urbane, se ndiqen disa hapa.

“Le të shkojmë ne kinostudio. Përzgjedhim destinacionin. Japim udhëzimin dhe këtu ka opsionet. Këtu jepen linjat që duhet të marrësh. Ka edhe ngjyrën e linjës se autobusit. Në disa rrugë kalojnë disa autobusë dhe janë të gjitha të afishuara”.

Një metode u vjen më shumë në ndihmë vizitorëve në kryeqytet, qe nuk e njohin Tiranën dhe nuk janë te orientuar për të lëvizur në rrugët e saj.

Turistët e huaj pranojnë se hasin vështirësi për të lëvizur në Tiranë. Disa prej tyre thonë se për të gjetur destinacionet që duan, kërkojnë ndihmën e qytetarëve të Tiranës.

“Jam nga Çekia. Po e kam të vështirë për t’u orientuar. Sapo pyeta dhe tani mendoj se e kam të qartë”.

“Jam nga Belgjika por jetoj ne Zvicër. Është hera e parë që vizitoj Tiranën. Do të marr autobusin të shkoj në aeroport. Është mirë që tani mund të gjenden edhe në google, unë nuk i përdor taksitë. Kur gjenden online është shumë më e thjeshtë”.

“Jam orientuar duke pyetur. Tani që po më thua se janë në google maps është perfekte”.

“Do të ikim në Vlorë. Do të përdorim autobus jo taksi. Udhëtimi me autobus më i lirë. Nuk e kemi shumë të vështirë sepse pyesim gjithmonë. I kemi aksesuar edhe në Google kur mbërritëm dje në Tiranë. Por e vërteta është se është pak i ngatërruar aksesi në zona të ndryshme. Megjithatë dua ta them që Shqipëria është një vend kaq i dashur”.

Për qytetarët shqiptarë hedhja e të dhënave të transportit publik online është një hap pozitiv që duhet të ishte bere kohë më parë.

“Është shumë mirë që është bërë, por duhet të shtohen edhe oraret, se për sa kohë vjen autobusi”.

“Shumë gjë e mirë, i ndihmon shumë qytetarët që nuk janë në gjendje ti dinë të gjithë rrugët. Do të ishte mirë që edhe në stacione të ishin të afishuara oraret dhe të kuptohej kur vjen autobusi, të përllogaritet koha”.

Më të vjetrit pranojnë se nuk e kanë të lehtë për ta aksesuar një shërbim të tillë.

“Jo nuk e di.” /abcnews.al